Ukraina, NATO dënon përdorimin e forcës

04/12/2013 00:20

Ministrat e Jashtëm të NATO-s kanë dënuar përdorimin e “forcës së tepruar” kundër protestuesve pro-europianë në Ukrainë, pas një takimi në Bruksel.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, nxiti liderët e Ukrainës “të dëgjojnë zërin e popullit të tij”. Më herët, kryeministri Mykola Azarov kërkoi falje në Parlament për përdorimin e forcës policore kundër protestuesve.

Protesta masive kanë shpërthyer që pas vendimit të qeverisë për të mos nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim me BE-në, javën e kaluar.

Mijëra vetë demonstruan jashtë ndërtesës së Parlamentit në Kiev, të martën, teksa protestat vazhduan në qytet edhe gjatë mbrëmjes.

“Ne nxisim të gjitha palët të sillen paqësisht. Dhuna nuk ka vend në një shtet modern europian”, tha Kerry për reporterët.

Ministrat thanë përmes një deklarate, se nxisin “Ukrainën t’u përmbahet plotësisht angazhimeve të saj ndërkombëtare dhe të mbështesë lirinë e shprehjes dhe të tubimeve”. “Ne nxisim qeverinë dhe opozitën të përfshihen në dialog dhe të nisin një proces reformues”, shtuan ata.

Top Channel