‘Belle Air’ kërkon falimentimin

04/12/2013 00:00

Kompania ajrore ‘Belle Air’ paraqiti në gjykatë kërkesën për falimentim, por jo me qëllim likujdimin e saj, por ristrukturimin deri në shlyerjen e të gjitha borxheve që i ka shtetit dhe palëve të treta.

Në seancën gjyqësore, avokati i kompanisë, Avni Shehu tha se shuma e detyrimeve në total që ‘Belle Air’ ka ndaj tatimeve, bankave, aeroportit dhe aktorëve të tjerë kap shifrën 51.7 milionë euro. Ndërsa asetet e kompanisë vlerësohen në shumën e 60.3 milionë eurove.

Avokati kërkoi caktimin e një administratori të përkohshëm që do të mbikëqyrë kompaninë deri në ristrukturimin e saj. Por gjykata vendosi caktimin e një eksperteje kontabël, e cila do të kryejë vlerësimin e aseteve dhe gjendjes financiare të kompanisë, nëse kalon apo jo në faliment.

Avokati theksoi edhe një herë se shkak për shpalljen e falimentit dhe situatën e vështirë financiare në të cilën gjendet kompania është bllokimi i llogarive nga ana e bankave. Seanca e radhës pritet të zhvillohet në datën 12 dhjetor.

Kompania ndërpreu fluturimet 10 ditë më parë, duke lënë në dyert e aeroportit me qindra qytetarë që kishin prenotuar udhëtimin me këtë kompani edhe ditën kur shpalli falimentin.

Ata mundën të udhëtonin drejt destinacioneve të tyre përmes kompanisë që mbuloi fluturimet e ‘Belle Air’, ‘Blue Panorama’, duke paguar një shumë shtesë prej 60 eurosh për segment.

Top Channel