Tensioni në Azi, Biden vizitë në Pekin e Tokio

02/12/2013 15:25

Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, do të vizitojë Kinën dhe Japoninë gjatë javës, në një përpjekje për të ulur tensionet midis dy superfuqive aziatike.

Pekini dhe Tokio përballen prej më shumë se një viti për sovranitetin e ishujve Senkaku ose Diaoyu në kinezisht, ndërsa së fundmi kriza ka marrë përmasa tepër të rrezikshme.

Dy javë më parë, Kina shpalli një zonë ndalim-fluturimi mbi territorin e ishujve, duke kërcënuar me ndërhyrje ushtarake çdo mjet fluturues që do të kalojë mbi këtë zonë.

Ndalim-fluturimi kinez është shpërfillur prej avionëve amerikanë, japonezë dhe koreanojugorë, të cilët kanë shkelur këtë hapësirë pavarësisht se janë mbikqyrur nga afer prej gjuajtesve kineze.

Situata e ndërlikuar mbi qiellin e Detit të Kinës Lindore
ka krijuar frikën e një incidenti të mundshëm në ajër, i cili mund të krijojë kushtet për të nxjerrë situatën jashtë kontrollit.

Zyrtarët amerikanë thonë se gjatë vizitës së tij, Biden do t’i ngrejë Pekinit shqetësimet e Uashingtonit mbi deklarimin e njëanshëm të kësaj zone ndalim-fluturimi, duke inkurajuar dialogun e drejtëpërdrejtë me Japoninë.

Në Tokio, sipas “CNN”, ndërsa Biden pritet të kërkojë gjithashtu dialog, numri dy i administratës duhet të shprehë mbështetjen për qëndrimin zyrtar të Japonisë.

Statusi i paqartë i ishujve Senkaku përfundoi në vitin 2012, kur Japonia bleu pronësisë e tyre nga pronari i ligjshëm.


Harta e konfliktit. Ishujt e pabanuar Senkaku kerkohen prej Kines, Japonise dhe Tajvanit

Lëvizja irritoi Pekinin zyrtar, duke e konsideruar këtë praktikë të zotërimit të territorit si të papranueshme në përputhje me legjislacionin ndërkombëtar.

Ishujt ndodhen në një distancë pothuajse të barazlarguar nga dy superfuqitë aziatike, që pretendojnë sovranitetin secili mbi argumentime të paqarta gjeografike dhe historike.

Ndonëse një territor i pabanuar i përbërë nga një grup ishujsh mikroskopikë dhe disa shkëmbinjsh, zotërimi i Senkakut i jep shtetit përkatës të zotërojë edhe të drejtën e sovranitetit mbi detin përreth, ku janë zbuluar rezerva të shumta nafte dhe gazi natyror.

Ky grup ishujsh pretendohet edhe prej Tajvanit.

Top Channel