OKB akuzon Assad për krime lufte

02/12/2013 00:00

Komisionerja e të drejtave të njeriut në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Navi Pillay deklaroi se ka prova që përfshijnë presidentin sirian Bashar al Assad në krime lufte.

Është hera e parë që zyra e të drejtave të njeriut në OKB adreson akuzën kaq të rëndë drejtpërdrejtë tek Assad. Pillay tha se zyra e saj ka në duar një listë të gjatë me emra të tjerë që nga Assad e deri tek zbatuesit e urdhërave që akuzohen për krime lufte.

Sipas OKB mbi 100 mijë persona kanë humbur jetën në Siri që nga nisja e konfliktit të armatosur, dy vjet më parë. “Hetimi i një komisioni të OKB-së siguroi një numër të madhe provash që tregojnë krime dhe shkelje serioze të të drejtave të njeriut, që nga krime lufte deri tek krime kundër njerëzimit”, deklaroi Pillay.

Faktet, tha ajo, tregojnë përgjegjësi direkte në nivelet më të larta qeverisëse, edhe presidentin që ka autorizuar këto krime.

Në raportin e OKB-së thuhet se abuzime me liritë dhe të drejtat e njeriut janë kryer edhe nga disa fraksione të opozitës së armatosur, por gjithsesi gishti për krimet më të mëdha të ndodhur në vend gjatë konfliktit drejtohet nga Bashar al-Assa dhe forcat e tij.

Raporti përmend edhe sulmet me armë kimike në rrethinat e Damaskut në ditët e para të muajit gusht, sulm ky që nxiti SHBA për të ndërhyrë ushtarakisht. Por një marrëveshje me Moskën për të bllokuar dhe shkatërruar të gjitha armët kimike të Sirisë, stepi Uashingtonin.

Top Channel