Ukrainë, zaptohet Bashkia e Kievit

01/12/2013 22:10

Një protestë prej rreth 300 mijë ukrainasish të irrituar nga vendimi i qeverisë së tyre për ngrirjen e negociatave me Perëndimin u kthye në përleshje të dhunshme, kur një grup demonstruesish mësynë zyrën e Presidentit dhe policia iu kundërpërgjigj me shkopinj gome, gaz lotsjellës dhe granadash ndriçuese.

Koret e “revolucionit” ishin dëgjuar më herët përgjatë një “deti” flamujsh të BE-së dhe të Ukrainës në sheshin kryesor të Kievit, ku qeveria kishte ndaluar tubimet masive duke nisur nga e diela.

Por, lideri i nacionalistëve të ekstremit të djathtë, Oleh Tyahniboh, bëri thirrje për një grevë kombëtare, ndërkohë që anëtarët e partisë së tij Svoboda (Liria) pushtuan Bashkinë e Kievit, së bashku me mbështetësit e partisë së ish-ministrit të Ekonomisë, Arseny Yatsenuk, Batkivshchyna (Atdheu).

Të tre liderët e opozitës, pushtuan gjithashtu një ndërtesë të sindikatës së tregtisë, duke e kthyer atë përkohësisht në një seli të tyre.

Eventi i së dielës riktheu kujtimet e “Revolucionit Portokalli” të viteve 2004-2005, që përmbysi sistemin politik të asaj kohe, dhe riktheu shpresat e Ukrainës për drejtimin nga Perëndimi. Synimi kryesor i protestuesve dukej se ishte të pushtonin edhe zyrën kryesore Presidenciale.

Forcat e Ministrisë së Brendshme dhe policia speciale u përpoqën të ndalnin protestuesit, të cilët përdorën edhe ekskavatorët në përpjekje për të thyer kordonët e policisë në zemër të tyre.

Top Channel