Francë, gjoba ndaj klientëve të prostitutave

30/11/2013 04:35

Ligjvënësit francezë kanë miratuar një dispozitë shumë të diskutueshme në një projektligj që ndëshkon klientët e prostitutave, ndërkohë që janë dhënë argumente të ashpra se kjo masë mund të jetë joproduktive.

Sipas dispozitës së re, të bërë të ditur gjatë së shtunës, blerja e akteve seksuale do të ndëshkohet me 1500 euro gjobë.

Shkelësit përsëritës do të rrezikojnë një gjobë deri në 3750 euro. Në të kundërt, do të propozohet një kurs për t’i bërë ata më të vetëdijshëm mbi rreziqet e përfshirjes në shitjen e akteve të tilla.

Me dhjetra persona kanë dalë në protesta, pro dhe kundër projektligjit, teksa debati ka nisur në dhomën e ulët, Asamblenë Kombëtare, që pritet të votojë mbi dispozitat e tjera të projektligjit mbi seksin, ditën e mërkurë.

Prostitucioni është i lejueshëm në Francë, por nxitja, tutorët dhe shitja e seksit nga minorenët janë të ndaluara.

Qeveria thotë se projektligji synon të ndalë dhunën ndaj grave dhe të mbrojë pjesën më të madhe të prostitutave, të cilat bien viktima të bandave trafikuese.

Por, kritikët paralajmërojnë se ai do të detyrojë punonjëset e seksit të fshihen dhe të vihen në një rrezik edhe më të madh, ndërsa disa të tjerë argumentojnë se kushdo duhet të lejohet të përdorë trupin e vet, nëse e gjykojnë të arsyeshme.

Duke nisur debatin, Maud Olivier, një nga ligjvënësit udhëheqës të projektligjit, sulmoi “hipokrizinë” e kritikëve të tij.

“Një prostitutë e deklaron veten të lirë dhe skllavëria e të tjerave bëhet e respektueshme dhe e pranueshme?”, pyeti deputeti socialist në Parlament. “Si mund ta konsideroni diçka joshëse, faktin që prostitutat durojnë nga 10-15 akte seksuale në ditë për arsye ekonomike, duke ditur pasojat dramatike mbi shëndetin e tyre?”.

Ministrja për të Drejtat e Grave dhe zëdhënësja e qeverisë, Najat Vallaud-Belkacem, tha para ligjvënësve se “Franca nuk është një vend që mirëpret prostitucionin”. “Çështja nuk është te seksualiteti. Ne nuk jemi këtu për të bërë politika morale… çështja është te paratë që ushqejnë tutorët e prostitutave”, tha ajo.

Edhe kreu i komisionit parlamentar të ngritur për këtë projektligj, Guy Geoffroy, doli gjithashtu në mbrojtje të propozimit, duke thënë se ai “avancon të drejtat e grave”.

“Ne flasim për përmbushjen e dëshirave seksuale të meshkujve, por çfarë po bëjmë për dëshirat femërore?”, pyeti Geoffroy, i cili vjen nga partia kryesore opozitare, UMP.

Ndërkohë që sesioni i diskutimeve vazhdonte në Parlament, jashtë tij ishin mbledhur mbështetës dhe kundërshtarë të projektligjit.

“Ju flini me ne dhe votoni kundra nesh?”, thërrisnin një grup prej 150 prostitutash, shumica e të cilave mbanin maska të kuqe ose të bardha. “Ata po përpiqen të na ndalojnë në punën tonë”, tha Thierry Schaffauser, një aktivist nga STRASS, sindikata e punonjësve të seksit në Francë.

Top Channel