Egjiptianët sfidojnë ligjin anti-protestë

30/11/2013 03:40

Qindra protestues kanë dalë në rrugë, në të gjitha qytetet e Egjiptit, ndërkohë që ka pasur edhe përplasje kur policia është përpjekur të shpërndajë disa demonstrues, disa ditë pas miratimit të një ligji të ri tepër të diskutueshëm mbi ndalimin e protestave.

Të paktën 86 persona janë arrestuar anembanë vendit gjatë së premtes, sipas njoftimeve të Ministrisë së Brendshme, që shton se përplasjet kanë agravuar në disa zona.

Protestuesit në qytetit e Giza-s kanë hedhur bomba molotov në një stacion policie, ku përplasjet vazhduar për orë të tëra, tha ministri i Brendshëm për “Al Jazeera”.

Dhunë mes policisë dhe protestuesve ka shpërthyer edhe në qytetin e dytë më të madh të vendit, Aleksandri, pasi lutjeve të muslimanëve, teksa forcat e sigurisë kanë hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë qindra persona.

Qyteti bregdetar në Mesdhe është përfshirë nga tensionet që kur një gjykatë dha vendime të ashpra me 11 vjet burgim për 21 femra, gra e vajza, mbështetëse të presidentit të rrëzuar Mohamed Morsi, shumica e të cilave minorene, me akuzën e mbajtjes së protestave paqësore.

Zyra e presidentit, të premten, njoftoi se grave dhe vajzave mund t’u falet dënimi nga presidenti i përkohshëm, vetëm pasi çështjet e tyre të kalojnë përmes Apelit dhe Gjykatës së Kasacionit.

Ato mbahen prej javësh të burgosura, pasi u arrestuan gjatë një proteste në të cilën kërkonin rikthimin e Morsi-t në krye të vendit, president që u rrëzua më 3 korrik nga një grusht shteti ushtarak. Vajza më e re e burgosur është vetëm 15 vjeçe.

1 person është vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur të enjten, gjatë një përplasjeje mes studentëve protestues dhe policisë, për shkak të dënimeve të ashpra që kanë irrituar shumë egjiptianë, në kryeqytetin Kajro.

Të premten, qindra vajtues u bashkuan në funeralin e Mohamed Rewda, një student i Universitetit të Kajros.

Top Channel