Ministria e Brendshme denoncoi në Prokurori tre ish-drejtuesit e Qendrës së Shërbimit dhe Administrimit të Transportit.
Proçedimi penal i regjistruar në Prokurorinë e Tiranës akuzon për ‘vjedhje duke shpërdoruar detyrën’ drejtorin e qendrës, Ramë Oruçi, shefin e shërbimeve të brendshme, Syrja Hoxha dhe magazinierin Alban Neziri.
Dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata kanë përvetësuar një sasi karburanti prej 12 mijë litrash dhe 4 mijë litra vaj lubrifikant. Sasia e karburantit dhe e vajit nuk gjendet as fizikisht dhe as e inventarizuar.
Nga një kontroll i auditit rezulton se të tre të akuzuarit, në shkelje me ligjin kanë nxjerrë në shitje dy automjete, ndërkohë që janë vërejtur shkelje edhe në transferimin e 65 automjeteve nga Parku në drejtim të Rezervave të Shtetit në Lundër.
Komisioni ka verifikuar se 58 automjete nuk ishin në gjendje pune dhe duheshin nxjerrë jashtë përdorimit, por nuk ka paraqitur asnjë procesverbal të gjendjes së tyre teknike.
Top Channel