Prej orës 18:00 ashtu sic ishte paralajmëruar të gjitha institucionet në kryeqytet, të politikës dhe artit, janë hapur për qytetarët në rikthimin e traditës së “Natës se Bardhë”.
Kryeministria ka hapur sallën e re të hartave, ku vizitorët e parë kanë qenë një grup fëmijësh të cilëve ideuesit iu kanë shpjeguar se ndërtimi i saj nga qeveria Rama është në sinkron me selitë e kancelarive europiane, ku në cdo njërën prej tyre janë të vendosura harta të Europës së vjetër.
Por kryeministri Rama deklaroi se ashtu si kjo sallë, pranë selisë së qeverisë do të ndërtohen edhe ambiente të tjera, të vizitueshme nga qytetarët jo vetëm në “Natën e Bardhë”.
“Duam të ndërtojmë një bibliotekë publikë të Kryeministrisë, një hapësirë koncertesh dhe njëkohësisht një hapësirë tonën për të ekspozuar vepra të artistëve shqiptarë ose të huaj, edhe këto të mundshme për t’u parë nga publiku”, tha Rama.
Përvec sallës së hartave, edhe ambiente të tjera si zyra e Kryeministrit apo salla e mbledhjeve të kabinetit qeveritar, aty ku merren vendimet e Këshillit të Ministrave, janë të hapura për qytetarët.
Kuvendi i Shqipërisë gjithashtu hapi dyert për të gjithë ata që duan të shohin nga afër institucionit ligjvënës. Kreu i Kuvendit, Ilir Meta i pranishëm në pritjen e qytetarëve në këtë ditë, gjeti rastin të shprehë besimin për marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë në fund të dhjetorit, ashtu sic edhe rekomandon Komisioneri për Zgjerimin, Stefan fyle
“Shpresojmë dhe besojmë që kjo do të ndodhë, por duhet të këmi parasysh që nuk bëhet fjalë për një votim shumicë-pakicë si në Kuvendin e Shqipërisë, por duhet një votë pro nga të gjitha vendet anëtare. Do të mjaftonte një hezitim i një vendi të vetëm, që kjo të mos ndodhte, por nuk ka asnjë arsye që Shqipëria të mos fitojë statusin kandidat në dhjetor, para Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri”, tha Meta.
“Nata e Bardhë ka zbritur edhe në institucionet të tjera shtetërore të artit dhe kulturës. Teatri Kombëtar, Muzeu Historik, Galeria e Arteve, Qendra Kombetare e Fëmijëve, kinematë, cirku gjithashtu vijnë në këtë natë, me një program të larmishëm, për me të vegjelit, të rinjtë e cdo grupmoshë tjeter. Reduktimi i lëvizjes së automjeteve, dhe krijimi i hapësirave të lira krijon mundësi për cdo improvizim në rrugët e kryeqytetit për festimin e “Natës së Bardhë”.
Baret janë të hapura deri në orët e para të mëngjesit, ku ashtu sic është në traditën më të mirë të kësaj feste të rinjtë vecanërisht festojnë me muzikë në shoqërinë e njëri-tjetrit.
Rikthimi i “Natës së Bardhë”, e vendosur nga Edi Rama kur ishte në krye të Bashkisë së Tiranës, vjen si një nismë e qeverisë, për t’iu bashkuar traditës më të mirë të vendeve europiane, sipas saj që e kanë tashmë të vendosur në kulturën e tyre të festimit të ditës së çlirimit.
Top Channel