“Të ndreqim gabimet, të përveshim llërët”

28/11/2013 00:00

Gjatë një pritjeje të organizuar me rastin e 101-vjetorit të Pavarësisë, presidenti Bujar Nishani ka kërkuar vazhdimin e reformave në vend, zbutjen e klimës politike dhe më shumë punë për të arritur Europën.

Gjatë pritjes së përvitshme, ku ishin të ftuar personalitetet më të larta të vendit, përfaqësues të të gjithë spektrit politik, diplomatë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, Nishani ka kërkuar më shumë vende pune si dhe edukimin e brezit të ri.

“Mosmbetja prapa zhvillimeve globale, ndaj një bote që ndryshon furishëm kërkon shumë përkushtim. Të vijojmë reformat e nevojshme, atë arsimore, që shkollat të na prodhojnë njerëz të thellë në dije e mendime, të aftë për të përballuar sfidat e mëdha të punëve të mëdha të së nesërmes. Të bëjmë çmos ta zbusim klimën politike ndërpartiake, të ndërtojmë strategji të mira punësimi, për të evituar sa të mundim, pak nga pak, lëmoshat e padenja dhe joefikase asistenciale. Të vazhdojmë të punojmë edhe më tej, për sa na ka mbetur për afrimin me Europën”, tha presidenti Bujar Nishani.

Presidenti ka kërkuar një politikë më të mirë arsimore në vend. Të rinjtë – tha ai – duhet të edukohen, që t’i shërbejnë vendit dhe t’i largohen krimit. Kreu i shtetit ka vënë theksin, gjithashtu, edhe në ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Top Channel