Kapshticë, grekët bllokojnë drejtoren e ISSH-së

28/11/2013 00:00

Tjetër bllokim i palës greke në kufi. Këtë herë është Drejtorja e Përgjithshme e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Vjollca Braho ajo që nuk lejohet nga autoritetet kufitare greke që të kalojë kufirin.

Sipas raportimit, Braho po udhëtonte së bashku me një grup prej 15 personash të tjerë. Që të gjithë ata kanë kaluar pa problem kufirin, ndërsa Braho është ndaluar. E kontaktuar nga Top News, Drejtorja e Institutit të Sigurimeve Shoqërore konfirmoi lajmin dhe shtoi se shkak për këtë bllokim është angazhimi i saj politik me Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, ku ajo është anëtare e kryesisë.

“S’jam lejuar nga autoritetet greke për shkak të angazhimit tim në politikë me PDIU. Ishim një grup prej 15 personash që po udhëtonim dhe vetëm unë s’jam lejuar. Policia greke më pohoi se do të mund të kaloj vetëm pas verifikimeve në Athinë”, tha ajo.

Braho pohon se për shkak të kundërshtimit të saj ndaj autoriteteve greke, këto të fundit i kanë bllokuar edhe pasaportën.

Top Channel