Masa ligjore për ‘Belle Air’

27/11/2013 00:00

Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto tha se do të merren të gjitha masat që parashikon ligji ndaj çdo shkeljeje të kryer nga kompania ajrore ‘Belle Air’, e cila ka shitur bileta për qytetarët edhe pasi kishte deklaruar zyrtarisht falimentin.

“Kemi treguar fleksibilitetin maksimal për ta mbështetur si një kompani që ofronte shërbime për mijëra e mijëra qytetarë shqiptarë. Por kompania duhet të zbatojë ligjin dhe institucionet duhet ta monitorojnë e ta ndëshkojnë nëse thyen ligjin”, deklaroi Haxhinasto.

Këto komente ministri Haxhinasto i bëri gjatë një inspektimi në Qendrën e Kontrollit Teknik të Mjeteve Rrugore, ku theksoi gjendjen problematike të infrastrukturës rrugore në vend, e cila është shndërruar në burim aksidentesh.

“Fondet për mirëmbajtjen e rrugëve, një aspekt i rëndësishëm i sigurisë rrugore, janë rritur 6-7 herë në buxhetin e ardhshëm, pasi jemi ende larg standardeve për të mirëmbajtur rrugët”, nënvizoi Haxhinasto.

Për ministrin Haxhinasto një tjetër element i rëndësishëm që i shërben rritjes së sigurisë në rrugë e që do të ketë prioritet është kontrolli teknik më rigoroz për të gjitha automjetet.

Punonjësit denoncojnë ‘Belle Air’
“S’na janë dhënë pagat për tre muajt e fundit”

Në një letër drejtuar mediave, punonjësit e kompanisë ‘Belle Air’ thonë se janë rreth 476 punonjës të kontraktuar direkt dhe qindra të tjerë të varur prej saj, të cilëve nuk u është dhënë paga e muajve shtator, tetor dhe nëntor.

“Pa asnjë njoftim paraprak, megjithëse kishin planifikuar me detaj ‘falimentimin për ristrukturim’, nuk njoftuan punonjësit por thjesht u vunë çelësat dyerve, duke lënë vartësit e tyre të veshur me uniformë jashtë portës dhe përballë pasagjerëve që kërkonin me të drejtë shpjegim”, thuhet në letrën e punonjësve të kompanisë.

Ata kërkojnë të hetohet mbi paratë e marra nga pasagjerët dhe rrogat e mohuara të punonjësve, kur fluturimet janë performuar rregullisht deri ditën e fundit dhe avionët ishin plot me pasagjerë si asnjë herë tjetër.

Punonjësit i bëjnë thirrje instancave shtetërore të mos lejojnë të përfitohet nga pagat e pashlyera të stafit, i cili akoma vijon të mbahet pezull me pretendimin se vazhdon të jetë në kushte pune dhe se kompania do të rimëkëmbet.

Top Channel