Fiksi, “shteti” kundër korrupsionit

27/11/2013 00:00

Jehona e investigimit të “Fiks Fare”, ku me zë dhe figure u dëshmua
korrupsioni në drejtësi ka mbërritur në sallën e Kuvendit të Shqipërisë.

Pafuqinë e shtetit për të luftuar këtë korrupsion, tha deputeti socialist Fatmir Xhafaj, e ka zëvendësuar emisioni “Fiks Fare”.

“Atë që nuk po e bën dot shteti, po e bën një emision televiziv, i famshmi ‘Fiks Fare’ i Top Channel. Vetëm 10 veta, përfshi brenda edhe Filip Cakulin, punojnë në procesin investigativ për ‘Fiksin’ dhe shihni çfarë bëjnë, një autopsi të sistemit të gangrezinuar nga korrupsioni. Përtej cdo arsyetimi një gjë duhet pranuar me dhimbje nga ne të gjithë. Kjo është sfida e një televizioni, që pavarësinë e tij e ka të shenjtë me një ushtri shteti, që paguan për këtë punë, por që moralin e kanë të kalbur. 10 njerëz, me shpirt dhe respekt për punën e tyre përballë një ushtrie të shtetit me mbi 1 mijë prokurorë, policë gjyqësore, inspektorë, nëpunës hipoteke, tatimesh etj, etj, që nuk kanë edhe një rast të vetëm ndëshkimi për korrupsionin e ulur këmbëkryq brenda sistemit”, tha Xhafaj.

Duke iu referuar një tjetër investigimi të “Fiks Fare” deputeti Xhafaj deklaroi se gjykatësi në fjalë, jo vetëm nuk u ndëshkua, por u promovua.

“Dhe këtë nuk mund ta bëjnë këta, që vetëm pak muaj më parë promovonuan me ngritje në detyrë një gjyqtar në Gjykatën e Apelin, i cili pak vite më parë ishte ndëshkuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pasi po ‘Fiks Fare’ kishte denoncuar me zë dhe me figurë një shkelje një rëndë të ligjit prej tij. Edhe atëherë kështu ndodhi, të gjithë u skandalizuan dhe reaguan, por sot harruan dhe e promovuan. Pse? Sepse është anëtar i celulës partiake në gjyqësor, sepse duhet celula për të mbrojtur skandalet e bëra me tokat në bregdet”, tha Xhafaj.

Deputeti Fatmir Xhafaj që drejton edhe Komisionin Parlamentar të Ligjeve nuk i kurseu kritikat për KLD-në dhe kreun e këtij institucioni, presidentin Bujar Nishani.

“Çfarë vlerash mund të presim të reflektojë Këshilli i Lartë i Drejtësisë sot tek qytetarët, tek sistemi i drejtësisë, kur KLD-ja është kthyer në një cerdhe nepotizmi dhe klientelizmi? Një nga shqetësimet e progresraportit lidhet me faktin se emërimet e KLD-së,- thuhet në të, – bëhen mbi baza subjektive dhe jo mbi kritere objektive. Kjo KLD dhe ky president nuk vlerësojnë punën e gjyqtarëve që prej vitit 2007, megjithëse ky është një detyrim po e jep ligji”, u shpreh Xhafaj.

I menjëhershëm ishte reagimi deputetes demokrate Jozefina Topalli.

“Në Kuvendin e Shqipërisë nuk mund të fyhet kryetari i Shtetit, jo vetëm sepse ka një nen aty që ju detyron ju që t’i ndërprisni fjalën, por edhe ta nxirrni jashtë nga salla e Parlamentit. Në parlamentin e Shqiptarëve nuk mund të sulmohet, është e papranueshme të sulmohet presidenti i Republikës 10 minuta rresht, aq më tepër që sot ju po flisni për konsensus dhe gjithëpërfshirje. Cili është mesazhi që i jepni ju Brukselit?” u shpreh Topalli.

Top Channel