Tafili dhe Marashi para gjykatës

26/11/2013 00:00

Para Gjykatës së Korçës ku u njoh me masën e sigurisë arrest me burg, Admir Tafili, njëri prej shtatë të burgosurve që mbrëmjen e të shtunës u arratisën në mënyrë spektakolare nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë, pranoi se ishte ai që kishte organizuar gjithcka.

Tafili tha se kishte organizuar gjithë planin e arratisjes dhe se këtë e kishte bërë për shkak të gjykimit të padrejtë ndaj tij.

Edhe i arratisuri tjetër, Fran Marashi, ndaj të cilit gjykata vendosi masën e arrestit me burg tha se ishte dënuar padrejtësisht dhe për këtë ai dëshmoi para gjykatës se do të fliste në një studio televizive. Ai deklaroi gjithashtu se armët i kishin siguruar brenda në burg nga një tjetër i dënuar, ndërsa shtoi se se gjatë arratisjes u ishte kërkuar policëve që të shtriheshin përtokë për të mos i lënduar ata.

Ndërkohë, Gjykata e Korçës e konsideroi Tafilin person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, ndërsa në arrest me burg la edhe Ervis Lamin, të dyshuar si autor i hedhjes së granatës gjatë arratisjes.

Më herët Gjykata e Shkallës së Parë në Korçë dha masën e arrestit me burg për dy persona qe organizuan dhe ndihmuan në arratisjen e bujshme. Albi Monçimi dhe Olsian Monçimi akuzohen për armëmbajtje pa leje dhe ndihmë për arratisje nga burgu.

Të mërkurën pritet të shqyrtohen masat për gardianët e burgut të Drenovës, që u arrestuan pas shpërthimit të burgut.

Ndërkohë, policia shqiptare njoftoi sërish në orët e pasdites së të martës se tre të burgosurit që u arratisën nga burgu i Drenovës kanë dalë jashtë Shqipërisë në drejtim të Greqisë, pavarësisht se policia greke mohon këtë pretendim.

Policia u informua të hënën nga një bari që kishte parë tre persona që udhëtonin me mushka në zonën e Dardhës e më pas u gjet edhe një vend qëndrimi i tyre, si dhe u mor denoncimi se në fshatin Arrëz ishin grabitur tre mushka.

Të arratisurit, Eduart Lulo nga Përmeti, Reiz Haxhiraj nga Vlora dhe Gëzim Toma nga Dibra, në fillim u mendua se ishin drejtuar për në Kolonjë për të kaluar kufirin nga Gramozi, grabitën edhe një automjet të cilin policia e gjeti më vonë të braktisur. Të martën policia gjeti tre mushkat e braktisura të cilat ndodheshin përtej kufirit grek dhe kjo solli hipotezën se ata kishin ikur në Greqi. Por policia greke e cila është vënë edhe ajo në kërkim e përjashton këtë mundësi.

Top Channel