Nën interpretimin e Himnit Kombëtar të Shqipërisë është hapur në një prej ambienteve të hotelit “Hyatt” të Selanikut, mbrëmja me rastin e festës kombëtare të vendit, e organizuar si cdo vit nga konsullata shqiptare e këtij qytetit.
Në fjalën e përshendetjes Konsulli i Përgjitshëm i Shqipërisë në Selanik, Riza Poda pasi ka falenderuar të pranishmit, ka theksuar rolin e rëndësishëm të emigrantëve në marrëdhëniet midis dy vendeve fqinje.
“Është rasti që të përshëndetet impenjimi dhe dashamirësia e autoriteteve greke këtu në qytetin e Selanikut, për të marrë pjesë dhe nderuar në këtë ditë të vecantë, gjë që flet edhe është dëshmi e marrëdhënieve shumë të mira të miqësisë dhe partneritetit të konsoliduar që ekziston midis dy vendeve tona. Në këtë kuadër mbetet sfida jonë e përbashkët nxitja e mëtejshme e këtyre marrëdhënieve në të gjitha fushat, ku ju bashkatdhetare të dashur keni një rol të pazëvendësueshëm”, tha Konsulli Riza Poda.
Të ftuar në aktivitet bashkatdhëtarë jo vetëm nga Selaniku, por edhe nga qytetet e Greqisë së Veriut si dhe dhjetëra personalitete të shquara të jetës politike e shoqërore greke.
“Greqia dhe Shqipëria jane dy vende fqinje, mike,aleate të cilat sidomos në vitet fundit kanë bërë hapa shumë të rëndësishme në marrëdhëniet dypalëshe. Dhe vërtet pas disa ditësh do të kemi dhënien e datës së fillimit të procedurave të integrimit të Shqipërisë në BE. Greqia, sic ka deklaruar publikisht do të qëndrojë në krah të Shqipërisë dhe do ta ndihmojë atë sepse ne ëndërrojmë që gjithë vendet e Ballkanit me kalimin e kohës të bëhen anëtare të BE.Le të shpresojmë që të arrijmë përgjatë presidencës greke që fillon në janar të 2014 fillimin e gjithë bisedimeve dhe procedurave për integrimin e Shqipërisë në BE”, deklaroi Theodhoros Karaoglou, Ministër i Maqedonisë dhe Trakës.
“Ajo që uroj është padyshim që cdo vit të shkojnë gjërat më mirë. Vëllazërimi midis dy popujve është një faktor i rëndësishëm dhe ne e kemi provuar këtë me binjakëzimin me qytetin e Durrësit, por edhe me Korcën, pra duhet që gjithnjë e më shumë të kenë progres marrëdhëniet dypalëshe.
Një ngjyrë të vecantë i kanë dhënë mbrëmjes këngëtari i njohur Kastriot Tusha dhe interpretimet e vecanta të dyshes virtuoze të valltarëve tashmë legjendë, Liliana Cingu dhe Rexhep Celiku që janë duartrokitur me ngrohtësi. Pjesëmarrësit kanë mundur që gjatë aktivitetit të shijojnë dhe sekuencat fotografike të disa prej viseve më të bukura të Shqipërisë të fokusuara nga dora e fotografit të njohur Roland Tasho.
Top Channel