Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi në Parlament se “Belle Air” u falimentua qëllimisht nga qeveria për t’u zëvendësuar nga një biznes i ri i njerëzve të pushtetit.
“Ju shkoni bllokoni llogaritë bankare, i falimentoni kompanitë për t’u futur vetë së bashku me pronarin tuaj, ndërsa lini me mijëra njerëz rrugëve siç vepruat këto ditë”, akuzoi ish-kryeministri Berisha.
Por, Ministri i Financave, Shkëlqim Cani tha se qeveria bëri përpjekjet maksimale për ta lehtësuar kompaninë, edhe pse ajo prej 5 vitesh nuk ka paguar taksat në arkën e shtetit.
“Ne i kërkuam me mirësjellje dhe korrektësinë më të madhe, për dy muaj radhazi, kësaj kompanie që të zbatonte ligjin. Madje kemi qenë shumë më elastikë me ligjin, besojeni apo jo. Megjithatë, edhe elasticiteti ndaj ligjit ka një kufi”, u përgjigj ministri i Financave, zoti Çani.
“Duhet të mblidhen të gjithë ministrat në Komisionin e Ekonomisë, sepse të gjithë qytetarët që paguanin biletën e tyre jo me çmim “loë-cost”, por me çmim tregu, u dashkan të paguajnë 70 euro më shumë. Kjo është e njëjta kompani që deri në muajin Maj jo vetëm që nuk kishte probleme financiare, por sillte chartera falas pa biletë për ata që duhet të votonin”, deklaroi deputeti socialist, Erjon Braçe.
“Shqiptarët që presin paratë e tyre e dinë më mirë se kushdo kush ia solli pasojën, pasi dolën ministrant dhe na thabnë njëri se e kemi bllokuar llogarinë dhe tjetri se nuk kanë bllokuar llogarinë”, replikoi Paloka.
Dy ditë më parë, “Belle Air” shpalli pezullimin e menjehërshëm të fluturimeve, duke lënë në rrugë mbi 52 mijë qytetarë, të cilëve u ka shitur bileta deri në fund të Marsit.
“Alitalia” angazhohet për pasagjerët e “Belle Air”
Kompania ajrore italiane “Alitalia” pranoi që të ndihmojë në rastet e nevojës në përballimin e pasagjerëve të “Belle Air”.
Lajmin e bëri të ditur për mediat gjatë pasdites së të martës ministri i Transporteve, zoti Edmond Haxhinasto.
“Vlerësojmë gatishmërinë e “Alitalia”-s për të na ndihmuar në përballimin e kësaj situate që ka përfshirë shumë shtetas shqiptarë”, deklaroi Haxhinasto.
“Do të bëjmë gjithçka që pasagjerët të kenë sa më pak probleme të krijuara nga kjo situatë”, shtoi ministri.
Për momentin, është ende e paqartë se cilat janë kriteret që duhet të përmbushin pasagjerët që do të transferohen në fluturime të “Alitalia”-s.
Top Channel