Rrugët pa sinjalistikë

24/11/2013 00:00

Mungesa e sinjalistikës jo vetëm në rrugët ndërqytetase, por edhe në akset nacionale, favorizon aksidentet. Dy prej akseve nacionale më të rëndësishme në rajonin juglindor shpesh shoqërohen me aksidente, pasojat e të cilëve janë nga më të ndryshmet.

Aksi Korçë-Kapshticë dhe ai Korçë-Pogradec janë dy prej investimeve infrastrukturore më të rëndësishme në vend, por sinjalistika rrugore mbetet e pamjaftueshme. Përgjatë aksit Korçë-Kapshticë, ngarkesa e qarkullimit është e lartë, por sinjalistika është e pamjaftueshme dhe në shumë raste e dëmtuar.

Ky aks ka një shifër të lartë lëvizjeje automjetesh, por mungesa e sinjalistikës rrugore, mbajtëseve anësore apo mbikalimeve e nënkalimeve ka bërë që të shënohen aksidente fatale përgjatë këtij aksi nacional.

Aksidente të shumta numërohen edhe në aksin  Korçë-Pogradec, përgjatë të cilit ka disa pika të rrezikshme dhe që nuk  paralajmërohen nga sinjalistika, çka do të sillte edhe shmangien e një sërë aksidentesh fatale.

Sipas të dhënave të Policisë së Korçës, në 3 muajt e fundit ky qark numëron 38 aksidente ku kanë humbur jetën 5 persona, janë plagosur rëndë 6 dhe kanë marrë plagë të lehta dhe 42 të tjerë.

Top Channel