Kolegji rrëzon PD-në për Korçën

18/11/2013 00:00

Kolegji Zgjedhor rrëzoi kërkesën e demokratëve për pavlefshmëri të zgjedhjeve në Korçë dhe ripërsëritjen e tyre.

Ky vendim i Kolegjit Zgjedhor erdhi pasi Gjykata e Apelit pranoi si provë të paraqitur nga demokratët pamjet e transmetuara nga emisioni “Fiks Fare”, ku sipas tyre është e dallueshme qartësisht blerja e votës.

Ndërsa socialistët kundërshtuan duke argumentuar se pamjet duhet të shoqëroheshin me ekspertizë ligjore. Megjithatë, në vendimin që ende nuk ka dalë i arsyetuar nga Kolegji Zgjedhor, demokratët u rrëzuan në pretendimin për blerje të votave.

Për përfaqësuesin ligjor të opozitës, Ivi Kaso, Kolegji toleroi një fenomen si ai i shit-blerjes së votës. “Kolegji zgjodhi për fat të keq t’i mbyllte sytë para këtij fenomeni dhe kjo zgjedhje e tij është po aq e patolerueshme sa fenomeni. Pas atyre imazheve që panë gjithë shqiptarët, Kolegji duhet të merrte një masë drastike për t’i vënë fre këtij fenomeni”, deklaroi Kaso.

Ndërsa përfaqësuesi socialist Eridian Salianji i kërkoi Kolegjit gjobitjen e PD, pasi bazuar në proçedurën civile, ajo ka abuzuar me të drejtën e padisë duke vënë në lëvizje gjykatën pa paraqitur asnjë provë.

Argumentimi i demokratëve në sallë ishte humoristik, deklaroi ai. “Vendimi i Kolegjit ishte mëse i drejtë. Ndërsa pretendimet e përdorura nga Partia Demokratike ishin të denja për një emision tjetër ‘Fiks Fare’”, tha Salianji.

Zgjedhjet e Korçës, pas pamjeve të transmetuara në “Fiks Fare”, u shndërruan në kauzën e opozitës që pretendoi se ajo që u pa në to ishte skema masive e përdorur në 23 qershor. Por gjykata i shton debatit politik vendimin ligjor për rrëzimin e këtij pretendimi.

Top Channel