ANDREA STEFANI – Lajmi për mundësinë e sjelljes për asgjësim në Shqipëri
të lëndëve helmuese luftarake siriane ka shkaktuar kundërshtime të
vendosura nga segmente të shoqërisë civile
Në kushtet e një informacioni ende të pakët ka një alarm në rritje se sjellja dhe përpunimi i rreth 1 mijë ton helmeve, do të shkaktonte dëme të pariparueshme në mjedis dhe jetë njerëzish ngaqë Shqipëria nuk i ka kapacitetet për ta bërë një gjë të tillë siç duhet. Mësohet gjithashtu, se për një shkatërrim të lëndëve luftarake pa pasoja, do të duheshin investime prej qindra milionësh madje, deri 1 miliard USD, në impiante të sofistikuara deri në robotizim. A do të jetë i gatshëm komuniteti ndërkombëtar të bëjë një investim të tillë, apo kostot financiare do reduktohen në kurriz të njerëzve dhe mjedisit? Dhe meqenëse është bërë e ditur se kërkesa për angazhimin e Shqipërisë në këtë operacion vjen nga Uashingtoni, qeveria “Rama” po akuzohet si servile ndaj SHBA. Madje, tërthorazi, edhe SHBA po ekspozohen në pozicionin e “imperializmit amerikan” dhe projekti për asgjësimin e helmeve të Asadit, si një tjetër rrezik amerikan për Shqipërinë, pas atij të formuluar dikur nga diktatori komunist Enver Hoxha.
***
Është absurde të kërkosh që Kryeministri Rama t’i përgjigjej me një “jo” të prerë në telefon sekretarit Xhon Kerry. Nuk mund t’i thoshte as “po”. T’u thoshte “po” amerikanëve për çdo gjë, ishte në taktikën e Berishës. Por ai qe një servilizëm që kish anën e tij arrogante. Sepse Berisha vendoste vetë që të ishte servil, pa përfillur askënd. Rama nuk duhet të imitojë Berishën që vetë shkruante dhe vetë vuloste. Marrëdhëniet me aleatin më të rëndësishëm strategjik nuk mund të trajtohen me nxitim pra, papërgjegjshmërisht. Ndaj nuk është vetëm kryeministri që vendos rreth ofertës amerikane, por përfaqësuesit e popullit në Parlament dhe po të jetë nevoja, edhe sovrani me referendum. Prandaj, janë të paarsyeshme kritikat për servilizëm të qeverisë ndaj SHBA, në një kohë që e kundërta do të qe arrogancë e papërgjegjshme.
***
Protestat e shoqërisë civile për çështje si kjo e lëndëve luftarake, janë shenjë se shoqëria shqiptare po del nga gjendja e gjumit. Por ato duhet të jenë edhe të mirinformuara për atë çka kundërshtohet dhe debatohet. Thuajse të gjithë pranojnë se mungon informacioni për çka kërkojnë amerikanët dhe çfarë ofrojnë. E gjithë protesta është ngritur mbi rreziqe teorike. Gjithsesi, protestat nuk janë të dëmshme për sa kohë shfaqen si presion që e ndikon për ta bërë edhe më të ndërgjegjshme si qeverinë shqiptare ashtu dhe ndërkombëtarët, për rëndësinë e vendimit që pritet të merret. Por nëse protestat manipulohen për qëllime politike, mund të shtyjnë në drejtim të gabuar dhe me pasoja për vendin.
***
Një shtet nuk duhet të marrë përsipër një barrë më të madhe se ç’mund të mbajnë supet e tij. Një prononcim i Ilir Metës, kreut të Kuvendit të Shqipërisë, është sinjal shpresëdhënës se kështu do të ndodhë. Një qeveri mund të bëjë edhe gjëra kundër vendit të vet, por vështirë se bën gjëra kundër vetvetes. T’i thotë “po” një projekti që rrezikon mjedisin dhe jetë njerëzish, do të thotë që qeveria “Rama” ta vendosë veten kundër popullatës, jetën e së cilës ka mision kushtetues ta mbrojë. Ndërkaq, presioni qytetar mund të shtyjë edhe në drejtim të gabuar nëse nuk modelohet nga rreziqe reale, por nga interesa politike që mund të fshihen prapa këtij presioni. Nëse këmbëngulet t’i thuhet “jo” SHBA-së, refuzimi duhet të jetë i bazuar shkencërisht. E nëse shkenca, teknologjia dhe angazhimi ndërkombëtar i SHBA-së dhe NATO-s garantojnë rrezik “0”, përse duhet thënë “Jo”? Shqipëria nuk ka kapacitete për shkatërrim armësh e lëndësh kimike por edhe ekspertë shqiptarë të fushës, kanë njohur mundësinë e një operacioni pa pasoja negative. Ish-shefi i kimisë i divizionit të Tiranës, Enver Osmani, ka deklaruar, në “Neës 24”, se nëse do të merren masa tepër serioze paraprake, nëse do të përdoret një teknologji bashkëkohore, nëse do të ketë përcaktime të qarta dhe të sakta, atëherë asgjësimi i këtyre helmeve mund të bëhet me sukses. S’ka dyshim se ndërkombëtarët i kanë këto kapacitete teknologjike. Ato kanë kosto të lartë por komuniteti ndërkombëtar, duhet të jetë i gatshëm të investohet teknologjikisht dhe financiarisht, që të marrë pëlqimin e shqiptarëve. Shkatërrimi i armëve kimike në Shqipëri duhet të bëhet me atë kosto financiare që mundëson standarde në ruajtjen e mjedisit dhe jetës së çdo shqiptari ashtu si garantohet në SHBA jeta e çdo amerikani, pranë operacioneve të njëjta. Çdo kursim parash që rrezikon në shëndetin e njerëzve dhe mjedisit, është i patolerueshëm. Qeveria shqiptare duhet t’ua bëjë të qartë këtë gjë amerikanëve dhe ndërkombëtarëve. Dhe në kushtet e një investimi që jep garanci për kosto “0” në mjedis, shëndet e jetë njerëzish protesta, duke këmbëngulur tek refuzimi, do manifestonte jo logjikë qytetare por handikapin e një turme që, sipas Frojdit, asnjëherë nuk është e etur për të vërtetën por për iluzionin dhe që i jep përparësi ireales mbi realen.
****
Shkurt nëse rreziku do të jetë real, protestat duhen përshkallëzuar, oferta dhe bashkëpunimi duhen refuzuar. Asnjë jetë shqiptari nuk është e tepërt për t’u sakrifikuar. Asnjë pëllëmbë tokë e Shqipërisë gjithashtu. Por nëse investimi i teknologjive të kohës eliminon çdo rrezik, ato duhet të pushojnë. Nuk ka asnjë arsye që Shqipëria të mos marrë përsipër përgjegjësinë në operacionin e shkatërrimit të armëve kimike, duke i shërbyer edhe ruajtjes së jetës në shkallë botërore, pra edhe jetës në Shqipëri, nëse aleatët tanë të NATO-s dhe SHBA-së japin garancitë e duhura. Edhe sikur vetëm jeta e një shqiptari të dëmtohej sado pak, personalisht do të isha kategorikisht kundër vetëpërfshirjes së Shqipërisë në këtë operacion. Do të isha kundër përfshirjes në këtë operacion edhe sikur të kishte pasoja sado minimale për mjedisin. Ndaj ata që do të bënin shkatërrimin e arsenalit kimik në një rast përfshirje të Shqipërisë, ekspertë institucionesh të fushës me reputacion ndërkombëtar, sikundër Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCë) e nderuar së fundi edhe me çmimin “Nobel”, duhet të qartësojnë publikun shqiptar mbi mungesën e rreziqeve, duke argumentuar madje, jo vetëm përfitimet që do të ketë bota, por edhe Shqipëria vetë nga një operacion i tillë. Nëse përfshihen në këtë operacion, shqiptarët duhet të ndihen të sigurt, krenarë dhe jo të poshtëruar dhe me ndjesinë e frikës se vendi i tyre, po shndërrohet në një kosh mbetjesh dhe helmesh. Një ndjesi e hidhur që, për fat të keq, është rrënjosur edhe nga pazaret e qeverive të derisotme për importim plehrash.
***
Kalimthi nuk mund të mos nënvizojmë, dhe kjo është një kritikë për shoqërinë shqiptare, që ndjeshmëria e lartë për një rrezik ende hipotetik, nuk përkon me indiferencën skandaloze ndaj masakrës mjedisore nga malet e lartë e deri te lumenjtë e plazhet, madje dhe për dëmtimet e jetëve të njerëzve dhe fëmijëve nga industrialistë të papërgjegjshëm si në Elbasan. Ndërkaq, nuk mund të mos konstatohen përpjekje për ta manipuluar politikisht çështjen nga ana e opozitës politike, duke infiltruar (pa harruar GONGO-t ose OJQ-të e qeverisë së djeshme) deri edhe simpatizantët e saj në radhët e shoqërisë civile. Madje në mitingjet e shoqërisë civile janë shfaqur edhe deputetë të opozitës, po ata që deri dje në shumicë votuan pa asnjë dhimbje për mjedisin, ligjin e qeverisë “Berisha” për importimin e plehrave, që kanë bërë thirrje të kundërshtohet shkatërrimi i armëve kimike në Shqipëri. Jam këtu pro jetës, pro jetës së fëmijëve tanë dhe kundër vdekjes – deklaroi plot patetizëm deputetja Mesila Doda. Më falni, po kush është kundër jetës? Kush ka thënë se SHBA po propozon vdekjen e shqiptarëve dhe të fëmijëve të tyre? Duket se po ngatërrojnë SHBA me Bin Laden-in. Sepse edhe vetë Bin Laden kur bënte dallimin e “Al Kaedës” me SHBA deklaronte: Ne duam vdekjen, SHBA duan jetën! Ndërkaq shqiptarët e kanë me prova historike se nga SHBA, të paktën deri më sot, ju kanë ardhur vetëm mbështetje mëvetësie për kombin dhe lirie për popullin. Duke nisur që nga mbrojtja e Shqipërisë prej Presidentit Uillson e deri tek çlirimi i Kosovës. Vetëm nën diktaturën e Enver Hoxhës ka ndodhur që SHBA, nën apelacionin “imperializmi amerikan”, të akuzoheshin si armiq dhe vdekjesjellës për shqiptarët. Shumë kritika mund të bëhen për politikën dhe diplomacinë e SHBA, për qëndrimet që ato marrin për çështje të caktuara por, të paktën për ne shqiptarët, duke u nisur nga përvoja e derisotme, dyshimi se SHBA do na ofrojnë vdekjen do qe thjesht, mosmirënjohje. Sepse shkatërrimi i mjedisit dhe bashkë me të edhe e jetës së njerëzve, është terrorizëm, vrasje graduale, pa shpërthime. Dhe SHBA nuk janë terroriste. Nuk do ta besoja kurrë që edhe në rastin e asgjësimit të armëve kimike SHBA (dhe me këtë kam parasysh jo thjesht qeverinë dhe diplomacinë por popullin, demokracinë amerikane) po përgatit një kurth vdekjeprurës për shqiptarët. Por edhe nëse do ndodheshim para një skenari që nënkupton sakrifikimin e njerëzve dhe mjedisit, kush tha që qeveria “Rama” do ta pranonte? Edhe nëse do tregohej servile, nuk do ta lejonin shqiptarët. Madje kjo vendimmarrje nuk është ekskluzivitet i qeverisë. Vendimmarrja do të kërkohet minimalisht në Parlament kur deputetët e të gjitha krahëve, do të kenë mundësi të votojnë, pa patetizëm mitingjesh, pro jetës dhe kundër vdekjes.
***
Gjatë qeverisjes së kaluar, deputetët dhe qeveria e PD, miratuan ligjin për importin e plehrave madje, nisën importimin e plehrave duke shpërfillur shoqërinë civile dhe çdo merak për mjedisin e jetën e njerëzve. Sot po këta deputetë i shohim të protestojnë kundër “vdekjes”! Prapa këtij standardi të dyfishtë qëndron “ustai” i vjetër, Berisha. Ai gjakon që ta fusë qeverinë “Rama” në morsën e një të keqeje me dy kokë: Nëse i thotë “jo” ofertës do të kishte një krisje të marrëdhënieve me Uashingtonin, që “ustai” do të dinte si ta zgjeronte më vonë. Por edhe nëse i thotë “po”, do të shpallej si tradhtare e Atdheut po nga ai “usta”, që fali edhe ujërat e detit shqiptar Greqisë për hatër të pushtetit. Ndaj transparenca e plotë dhe bilance dhe garanci të qarta, janë ato që kërkohen për t’i dhënë fund, shqetësimeve, alarmeve dhe intrigave që janë bërë lëmsh në çështjen e armëve kimike të Asadit.
Gazeta “Shqip”
Top Channel