Fjalën e parë, përpara drejtuesve të rinj të Policisë së Shtetit
Kryeministri Edi Rama e ka nisur me nënvizimin e dy rasteve të rënda të
dy ditëve të fundit, atë të rrëmbimit të një vajze të mitur ne Fier dhe
atë të  gjetjes së dhjetra ikonave të grabitura nga trashëgimia e
përbashkët, për të theksuar se në ç’gjendje është katandisur rendi dhe
siguria në vend.

“Kemi trashëguar shthurjen më alarmante në Policinë e Shtetit qysh prej vitit të mallkuar 1997.
Kjo situatë erdhi si pasojë e kapjes së kupolës së Policisë së Shtetit, e cila u bë peng e interesave klienteliste”, deklaroi Rama.

Rama e cilësoi si mision historik rikthimin e sigurisë për jetën e çdo shqiptari, pronës së tij dhe pronës së përbashkët. “Beteja jonë është betejë për të zmbrapsur si asnjëherë tjetër krimin. Kjo do të thotë se Policia e Shtetit do të marrë përsipër të mbrojë çdo metër katror të Republikës së Shqipërisë”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se ky angazhim është shkaku i reformës së thellë të ndërmarrë në polici.
“Reforma që sapo ka nisur dhe që ka kaluar vetëm fazën e parë do të prekë të gjithë zinxhirin e përgjegjësive, por edhe do të transformojë cilësinë e burimeve njerëzore në dispozicion të popullit shqiptar, nën uniformën blu. Kjo fazë e parë e reformës ka hedhur hapin e parë për të afruar policinë e këtij shteti me shtetasit e këtij vendi”, tha Rama.

Rikonceptimi i Policisë së Shtetit ka qëllimin e krijimit te parneritetit me qytetarin, vijoi Rama, duke shtuar se, shkrirja e Policisë Rrugore me atë të Rendit dhe marrja e shërbimit policor nga qytetari në një zyrë të unifikuar të policisë do të rrisë jo vetëm efikasitetin, por edhe cilësinë.

Kryeministri paralajmëroi reformë ligjore në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm për të pastruar rradhët e policisë nga krimi dhe korrupsioni. Mes shumë të tjerash, kreu i qeverisë nënvizoi dy mesazhe për drejtuesit e rinj të uniformave blu.

“Nënat, gratë, fëmijët e këtij vendi meritojnë mbrojtje”, tha Rama.
Ndërsa faktorin më të rëndësishëm prej nga varet suksesi i Policisë së Shtetit, kreu i qeverisë e la për në fund, por që për drejtuesit e rinj, tha ai, duhet të jetë i pari që duhet të vihen në zbatim.

“Shikojini drejt e në sy vartësit tuaj dhe zgjidhni më të mirët dhe mos dëgjoni dhe shikoni as majtas dhe as djathtas. Ju nuk jeni shërbëtorët e askujt tjetër veçse shërbëtorët e popullit shqiptar. Paçi sukses! Nga ne do të keni vetëm mbështetje”, tha Rama.

PD, kallëzim penal Ramës dhe Tahirit
I dhanë goditje shkatërruese trupës drejtuese të policisë

Por Partia Demokratike vijon të akuzojë kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm për shkatërrimin e trupës drejtuese të Policisë së Shtetit.

“Emërimi i drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit nga kryeministri Rama, me propozim të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, është bërë në shkelje të ligjit për Policinë e Shtetit, konkretisht nenit 21 të këtij ligji që parashikon: personi që emërohet në krye të policisë duhet të jetë diplomuar në Akademinë e Policisë dhe të ketë kryer jo më pak se 16 vjet shërbim në radhët e saj”, deklaroi deputeti Arben Ristani.

Në një deklaratë për mediat, Ristani tha se demokratët do të bëjnë kallëzim penal për Ramën dhe Tahirin. “PD ka përgatitur dhe do bëjë kallëzim penal ndaj kryeministrit Rama dhe ministrit Tahiri, të cilët shkelën ligjin duke shkaktuar pasoja të rënda në funksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri”, shtoi Ristani. 

Top Channel