“Nëpunësi”, takim Rama-Basha

11/10/2013 00:00

Maxhoranca qeverisëse nisi përpjekjet për të zhbllokuar ngërçin politik pas largimit të opozitës nga Parlamenti, me shkakun se është prishur konsensusi politik me aktin normativ të qeverisë për ligjin e nëpunësit civil.

Ilirian Celibashi, ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin, së bashku me ministren e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, mesditën e së premtes janë takuar me kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi.

Duke e cilësuar takimin si “tejet të rëndësishëm”, nëpërmjet një postimi në Facebook ministri Celibashi njoftoi: “Theksuam nevojën për gjithëpërfshirje dhe konsensus për këtë akt themeltar, për ndërtimin e një administrate publike të barazlarguar nga interesat politike dhe mbetemi optimistë për bashkëpunimin e faktorëve të opozitës në diskutimin e aktit në Kuvend”.

Ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim shkoi një hap më përpara për këtë çështje, duke propozuar një takim të kryeministrit Edi Rama me krytarin e opozitës, Lulzim Basha.

“Ne e gjejmë të udhës të promovojmë idenë e një takimi pozitë-opozitë në nivel kryetarësh, Rama-Basha, për të eksploruar një dakordësi në mënyrë që ky ligj i rëndësishëm, produkt i një konsensusi, të vijojë të jetë i tillë edhe në këtë akt, që përforcon efektin pozitiv lidhur me konsolidimin e administratës dhe shërbimit civil”, deklaroi Vasili.

Në seancën plenare të Kuvendit ditën e enjte u shty votimin i aktit normativ, i cili shfuqizon me 6 muaj hyrjen në fuqi të ligjit për nëpunësin civil. Kryeministri Edi Rama tha se votimi i aktit normativ u shty për të kërkuar konsensusin e opozitës dhe shtyrja ishte bërë me kërkesë të kryetarit të Parlamentit, Ilir Meta.

Shehu: Akti normativ minon financat
“Qeveria Rama thellon gropën e shtetit me 6 mld në muaj”

Për Partinë Demokratike, akti normativ i qeverisë, përveçse prish konsensusin politik, minon edhe financat e vendit. Deputeti Sherefedin Shehu tha se financat publike po shkojnë drejt greminës dhe gropa financiare sipas tij po thellohet nga qeveria Rama me 6 miliardë në muaj.

“PD e konsideron këtë akt si një akt që ka si qëllim destabilizimin e financave publike. Më herët ministri Cani deklaroi se defiçiti këtë vit do jetë 30 miliardë. Ndryshe nga ç’është thënë, ky akt e bën këtë 40 miliardë lekë. Qeveria e PD nuk realizoi 2 miliardë lekë deri në gusht, ndërsa qeveria e PS vendos të mos realizojë 6 miliardë lekë në muaj. Mosrealizimi neto i PD ishte 6 miliardë lekë, ndërsa fillimi i gropës së PS ligjërohet të jetë 24 miliardë lekë”, deklaroi Shehu.

Top Channel