FRD akuza PD-së për garën në Korçë

10/10/2013 00:00

Fryma e Re Demokratike akuzoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se ka marrë vendimin për nxjerrjen jashtë garës për Bashkinë e Korçës të kandidates së kësaj force politike nën influencën politike të Partisë Demokratike.

Përfaqësuesi i FRD-së, Gazmend Oketa tha se PD i trembet garës së politike.

“Dje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që punon me katër anëtarë, nga shtatë që duhet të kishte, vendosi të zbatojë urdhërin politik të Partisë Demokratike për të hedhur poshtë vendimin e KZAZ-së Korçë dhe për të larguar nga gara për zgjedhjet për Bashkinë Korçë, kandidaturën e Frymës së Re Demokratike, zonjën Brikena Zeneli. Me këtë akt primitiv, KQZ-ja e PD-së dhe PD-ja e KQZ-së nuk bën gjë tjetër vecse një sulm politik, jo ndaj një force të qendrës së djathtë, por ndaj pluralizmit politik në Shqipëri. Klima armiqësore nga ana e PD kundrejt FRD-së për ne nuk shënon një ngjarje të re. Që nga themelimi i FRD-së e deri në ditën e fundit, struktura e qeverisë që u largua kanë punuar më së shumti për dëmtimin e FRD-së se sa për të siguruar mbështetjen e qytetarëve shqiptarë. PD, forca e cila u themelua 23 vite më parë, pikërisht për të sjellë dhe garantuar pluralizmin politik, sistemin demokratike, konkurencën në zgjedhje të lira dhe të ndershme, bëhet sot forca politike që i trembet një gare elektorale dhe kërkon të kthejë një situatë gati të ngjashme me atë të para viteve ’90 ku në garë kishte vetëm një parti. Me këtë akt, PD tregoi se është larguar ndaj cdo parimi demokratik, se kontrollohet nga një klan i ngushtë që e përdor atë parti për pushtet dhe interesa ekonomike dhe se ajo nuk mundet më që të përfaqësojë ashtu sic duhet të djathtën shqiptare”, deklaroi zoti Oketa.

Top Channel