PD: Qeveria keqpërdor policinë

09/10/2013 00:00

Partia Demokratike akuzoi të mërkurën kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, se duke angazhuar policinë për ndërtimet pa leje po shkelin rëndë ligjin për Policinë e Shtetit.

“Kryeministri dhe ministri i tij i Brendshëm me urdhëra të pashkruar, antiligjorë dhe krejtësisht alogjikë po përdorin policinë e shtetit gjoja për të goditur ndërtimet pa leje, ku efektivët e Policisë së Shtetit detyrohen të dalin derë më derë jashtë detyrës së tyre funksionale, duke marrë kompetencat e insitucioneve të tjera, si në rastin konkret të Inspektoriatit të Ndërtimit”, deklaroi deputeti Arben Ristani.

Sipas Partisë Demorkatike, urdhërat për të përfshirë policinë në bllokimin apo prishjen e ndërtimeve pa leje, jo vetëm janë antligjorë, por janë politikisht të motivuar dhe vijnë pas premtimit elektoral të kryeministrit Rama për legalizimin falas të tyre. Gjatë deklaratës për shtyp, Ristani ka treguar edhe disa foto.

Policia kalon pranë këtij pallati, kalon pranë këtij tjetri dhe shumë të tjerëve që ne do t’i denoncojmë përditë, që janë të ndërtuar nga deputetë socialistë apo të afërm të tyre dhe detyrohet t’i mbyllë sytë, për shkak se është e detyruar t’i mbyllë sytë dhe të mos i shohë”, tha Ristani.

“Duke shprehur edhe një herë mbështetjen për shtetin ligjor dhe Policinë e Shtetit në kryerjen e detyrave të saj, PD kërkon nga qeveria dhe ministri i Brendshëm të ndalin diskriminimin, perskutimin politik, si dhe përdorimin antiligjor të institucioneve të shtetit. Përpara ligjit janë të gjithë të barabartë, edhe Saimiri, edhe Koço, edhe Sadriu apo çdo qytetar tjetër i Republikës së Shqipërisë”, apeloi deputeti demokrat.

Top Channel