Braçe: Basha mashtron shqiptarët

09/10/2013 00:00

Një ditë pas deklaratave të kryetarit të PD Lulzim Basha, kryetari i komisionit parlamentar të ekonomisë, Erjon Braçe akuzon liderin e opozitës se mashtroi publikisht qytetarët për të mbrojtur ish-ministrat demokratë.

“Nuk është e vërtetë që qeveria e zotërisë së tij ka lënë hapësirë prej 13 miliardë lekësh për huamarrje. Hapësira është në trendin e 6.5 miliardë lekëve”, deklaron Braçe.

Zoti Braçe thotë se, madje, qeveria që iku jo vetëm që nuk la 15 miliardë lekë hapësrië defiçit, siç pretendon zoti Basha, por realisht e tejkaloi gjithë kufirin vjetor të borxhit duke e çuar buxhetin në paligjshmëri.

“Duke pasur parasysh edhe faktin se kanë 9 miliardë lekë fatura pa paguar. Referuar këtij fakti, zotëria duhet t’i kishte thënë shqiptarëve se qeveria e Berishës ka nxjerrë jashtë parametrit ligjor ligjin për buxhetin e shtetit të vitit 2013. Çdo faturë që paguhet nga thesari i shtetit paguhet në kushte paligjshmërie”, nënvizon Braçe.

E gjithë kjo situatë, sipas Braçes erdhi nga rënia dramatike e të ardhurave kur vendi qeverisej nga demokratët, pas të cilës sipas tij qëndron një skeme gjigande vjedhjeje me disbursimin e TVSH-së.

“Paratë që mungojnë me tatimin mbi vlerën e shtuar, që mungojnë jo vetëm për shkak të krizës, shthurjes së burokracisë, por edhe për shkak të një skeme kriminale të rimbursimit të TVSH-së me kompani fiktive, për të cilën të gjitha agjencitë ligjzbatuese të shtetit duhet të operojnë për të shmangur një grabitje marramendëse në këtë sistem”, thekson Braçe.

Kreu i komisionit kuvendor të ekonomisë e ka akuzuar Bashën edhe për presion ndaj biznesit, kur sipas tij kërkon që shteti të mos u shlyejë borxhin.

PD: Ekonomia shqiptare është solide

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kundërshtoi të martën konstatimet e qeverisë mbi ekonominë dhe gjendjen e financave të vendit, duke aluduar se krijimi i një paniku psikologjik është pjesë e strategjisë për abuzim me taksat dhe doganat prej mazhorancës.

“Kryeministri Rama po mundohet të krijojë një situatë të degraduar të ekonomisë, por ekonomia shqiptare ia doli t’i rezistojë krizës globale”, komentoi Basha.

“Ndonëse është e vërtetë që të ardhurat fiskale për tetë muajt e parë të vitit kanë pësuar një rënie të lehtë, ekonomia shqiptare nuk ra në recesion dhe të gjithë të tjerat janë gënjeshtra të pastra. Përsa i përket borxhit të Shqipërisë, ai është i mirëpërcaktuar dhe i mirëadministruar”, shtoi kryetari i demokratëve.

Sipas Bashës, të gjithë aludimet për ekzistencën e një borxhi të fshehtë janë sajesa. “Nuk ka asjë borxh të fshehtë. Është e vërtetë që disa firma ndërtimi kanë avancuar më shpejt në punimet e tyre, për të përfituar tendera të rinj, por pagesat e shtetit janë kryer dhe vazhdojnë të kryhen në mënyrë të rregullt dhe ato nuk përbëjnë një borxh”, këmbënguli zoti Basha.

Ai shtoi se, “Edi Rama po zbaton strategjinë e nxirjes përmes gënjeshtrës, për të vënë në jetë strategjinë e abuzimit me financat dhe doganat. Megjithatë, ne jemi të vendosur të mbrojmë ekonominë shqiptare nga paniku që po krijon kryeministri dhe nga abuzimet që po përgatit ai”.

Top Channel