Për vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit reagoi edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i cili tha se vendimi për anulimin e pjesës së dytë të objektit, de jure do të thotë anulim i ndërtimit të xhamisë së Namazgjasë.

“Ky është de facto dhe de jure anulim i projektit të xhamisë së madhe. Godina polifunksionale ngrihet mbi truallin privat të pronarëve të truallit, të cilët në këmbim të lejes së zhvillimit të një pjese të truallit, dhanë pjesën tjetër të truallit afro 2000 metra katrorë për ndërtimin e xhamisë së madhe të Tiranës. Duke anuluar këtë pjesë të zhvillimit, ligjërisht është anuluar leja e ndërtimit të xhamisë së madhe dhe faktikisht është pamundësuar ndërtimi i saj siç ishte parashikuar”, deklaroi Basha.

***

PD: Ekonomia shqiptare është solide
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kundërshtoi gjithashtu konstatimet e qeverisë mbi ekonominë dhe gjendjen e financave të vendit, duke aluduar se krijimi i një paniku psikologjik është pjesë e strategjisë për abuzim me taksat dhe doganat prej mazhorancës.

“Kryeministri Rama po mundohet të krijojë një situatë të degraduar të ekonomisë, por ekonomia shqiptare ia doli t’i rezistojë krizës globale”, komentoi Basha.

“Ndonëse është e vërtetë që të ardhurat fiskale për tetë muajt e parë të vitit kanë pësuar një rënie të lehtë, ekonomia shqiptare nuk ra në recesion dhe të gjithë të tjerat janë gënjeshtra të pastra. Përsa i përket borxhit të Shqipërisë, ai është i mirëpërcaktuar dhe i mirëadministruar”, shtoi kryetari i demokratëve.

Sipas Bashës, të gjithë aludimet për ekzistencën e një borxhi të fshehtë janë sajesa. “Nuk ka asjë borxh të fshehtë. Është e vërtetë që disa firma ndërtimi kanë avancuar më shpejt në punimet e tyre, për të përfituar tendera të rinj, por pagesat e shtetit janë kryer dhe vazhdojnë të kryhen në mënyrë të rregullt dhe ato nuk përbëjnë një borxh”, këmbënguli zoti Basha.

Sipas tij, “Edi Rama po zbaton strategjinë e nxirjes përmes gënjeshtrës, për të vënë në jetë strategjinë e abuzimit me financat dhe doganat. Megjithatë, ne jemi të vendosur të mbrojmë ekonominë shqiptare nga paniku që po krijon kryeministri dhe nga abuzimet që po përgatit ai”.

Top Channel