U desh që kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë të shkonin sërish në
Bruksel për të zgjidhur mosmarrëveshjet në lidhje me zgjedhjet lokale në
Kosovë, pjesmarrjen e komunitetit serb në këto zgjedhje dhe vizitat e
zyrtarëve të lartë serbë gjatë apo pas fushatës.

Takimi i ndërmjetësuar nga shefja e diplomacisë evropiane Catherine Ashton u vlerësua si pozitiv nga të gjitha palët. Në përfundim të bisedimeve, Kryeministri Thaçi deklaroi se lufta e ftohtë ka mbaruar dhe se do të respektohen parimet e lëvizjes së lirë mes dy vendeve, në bazë të marrëveshjes së 19 prillit.

“Natyrisht që për ata që dëshirojnë ta vizitojnë Republikën e Kosovës, janë standartet, principet, procedurat, që kërkojnë leje nga autoritetet e Republikës së Kosovës dhe deri më tani nuk kemi ndonjë kërkesë. Por në rast të ndonjë kërkese tjetër, institucionet e Republikës së Kosovës do të marrin vendimin meritor në përputhshmëri me kushtet dhe rrethanat që mund të krijohen. Por nuk kemi qasje diskriminuese ndaj askujt”, u shpreh Thaçi.

Nga ana tjetër, Kryeministri serb Ivica Daçiç deklaroi se vendimi i fundit i Prishtinës kishte cënuar seriozisht besueshmërinë e tij si nënshkrues i marrëveshjes së 19 prillit dhe se, nëse nuk do të kishte marrë garanci për të vizituar Kosovën, do ta kishte braktisuar dialogun.

“U morëm vesh për zgjidhjen e disa çështjeve kyçe, që sa më shumë serbë të regjistrohen në listat e votuesve, që sa më shumë serbë të mund të votojnë jashtë Kosovës, që lista serbe të ketë përfaqësuesit e saj. Dhe në pajtim me disa parime dhe korrektësinë e ndërsjelltë të zgjidhen mosmarrëveshjet, përfshirë vizitat e funksionarëve më të lartë shtetërorë serbë në Kosovë, si gjatë, ashtu edhe pas fushatës zgjedhore”, tha Daçiç.

Edhe pas këtij raundi të jashtëzakonshëm të dialogut të Brukselit palët u angazhuan në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura mes tyre, si dhe për vijimin e këtyre takimeve në të ardhmen, pas zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Top Channel