Rama: Presim statusin në dhjetor

08/10/2013 00:00

Kryeministri Edi Rama i ka deklaruar kreut të diplomacisë lituaneze, vendi i të cilit mban Presidencën e radhës së Bashkimit Europian dhe atij rumun,vendi i të cilit mban Presidencën e radhës së Nismës së Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore, se Shqiperia pret përgjigje pozitive për statusin e vendit kandidat në dhjetor.

Gjatë takimit me Ministrin e Jashtëm të Lituanisë dhe Rumanisë, kryeministri Rama u shpreh se me zgjedhjet e fundit, të lira e të ndershme dhe transferimin paqësor të pushtetit, Shqipëria ka përmbushur një nga kushtet kryesore për marrjen e statusit të vendit kandidat, për të cilin shpresojmë një përgjigje pozitive në dhjetor ka theksuar ai.

Më herët dy shefat e diplomacisë së Lituanisë dhe  Rumanisë, zhvilluan një takim edhe me ministrin tonë të Jashtëm, Ditmir Bushati. Ai gjithashtu i ka përsëritur pritshmërinë se Shqipëria pret statusin në dhjetor, gjë që është parë e arritshme brenda këtij viti nga ministri lituanez dhe ai rumun.

Njëkohësisht ata theksuan rëndësinë për të vazhduar me reformat, veçanërisht për sa i përket shtetit ligjor, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, citon njoftimi zyrtar i Ministrise se Jashtme.

Top Channel