Dhrovjani i harruar, fshati i 40 puseve e 16 kishave

02/10/2013 00:00

Dhrovjani i vendosur mes maleve të Kazanjës dhe Koqinolitharit në
Delvinë përfaqëson një prej fshatrave më të bukur malorë në këtë
krahinë.

Fshati i 40 puseve të vjetra dhe 16 kishave është ndërtuar ne nje grope te madhe tektonike-karstike, historikisht e shfrytëzuar për nxjerrjen e evaporiteve. Dhrovjani, një qender e banuar që prej shek V para Krishtit nën emërtimin e qytezës së Dryovisit me rrënojat ende prezente në faqen e malit, përfaqëson një oaz të vertetë natyror të vendosur 450 mbi nivelin e detit.

Rruga për në fshat në gjendje mjaft të amortizuar kalon mes pyjeve të lisit e Valanidhit . Eksporti i këtyre drurëve drejt vendeve të Europës është i njohur në këtë zonë që prej shek. 17.

Historia dhe legjenda thotë se në Dhrovjan ne vitin 1774 eshte hapur shkolla e pare fillore, me kontributin e vete banorëve, ku grate e fshatit dhuruan gjithë dekoracionet e arit nga veshjet e tyre tradicionale per hapjen e shkolles, pas thirrjes që u bëri Shën Kozmai, në atë kohë mësues në fshat.

Dhrovjani që në fillim të shek. XX numëronte rreth 400 shtëpi dhe kishte aktive të 16 kishat e tij sot banohet nga rreth 100 të moshur , ish të burgosur të sistemit të kaluar apo pensionistë që kanë shpenzuar dekada të tëra pune në minierën e kripës së gurit më e madhja në Shqipëri gjatë kohës së shtetit socialist.

“Tani ne jemi të moshuar, por dikur kemi punuar në kooperative. Gjithë jetën e kaluam nëpër ara dhe marrim një copë pension të vogël. Mirë që kemi fëmijët andej, ata e mbajnë fshatin. Kemi ndërtuar shtëpitë e kemi pak vështirë me rrugët por mbase do rregullohen. Sot mjafton të kesh para dhe i blen të gjitha. Më parë kemi qenë shumë keq”, thotw Melpo Zoka, një e moshuar.

“Në Dhrovjan nuk vjen kurrë njeri, na kanë harruar këtu, vetëm fëmijët na mbajnë. Në kohën e Enver Hoxhës  fshati ziente, kishte shkollë të mesme minierë dhe shumë njerëz që punonin. Sot jemi vetëm ne. Vjen ndonjë turist tek – tuk se këtu ka shumë për të parë puset e vjetra dhe kishat. Puset më parë i mirëmbanim se pinim ujë nga to tani që kemi ujësjellës nuk ka kush ta bëjë , kanë ngelur ashtu”, thotw Sofia Koti.

40 puset madhështore të Dhrovjanit u shpallën monumente kulture në vitet 70 bashkë me 3 prej 16 kishave dhe disa banesa tradicionale të tipit kullë. Sot gjendja e këtyre monumenteve është kritike. Kishat që nuk janë kthyer ende në rrënoja janë bastisur dhe vjedhur. Afreskët e kishës së Shën Marisë dhe Shën Nikollës  kanë humbur ngjyrat dhe po degradojnë dita ditës ndërsa fshati i lidhur ngushtë ndër shekuj me kulturën po humbet dita ditës pjesë të trashëgimisë materiale dhe shpirtërore.

Top Channel