Do të bëhet regjistrimi i armëve

01/10/2013 00:00

Pas një marrëveshjeje me zyrën e duhanit, alkoolit, armëve dhe eksplozivëve në SHBA, Shqipëria ka filluar projektin e saj për evidentimin dhe regjistrimin elektronik të cdo arme zjarri të dhënë me leje në vend, si edhe ato që janë gjetur prova materiale në krime të kryera.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë tha se fillimisht do të regjistrohen armët në Durrës dhe Tiranë e më pas në gjithë vendin.

“Aktualisht Policia e Shtetit po zbaton një projekt për krijimin e sistemit të informatizuar të menaxhimit të armëve, SIMA, në kuadër të të cilit nga viti 2012 ka filluar procesi i regjistrimit të armëve në mënyrë elektronike, ku përfshihen të gjitha llojet e armëve të zjarrit apo të gjahut të dhëna me leje, si dhe armët prova materiale”, deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj.

Përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshmne tha se goditja e trafikut të armëve nuk ka patur rezultate konkrete në vitet e fundit për shkak se bashkpunimi i organeve ligjzbatuese në vend nuk ka qenë i duhuri. Ai bëri thirrje për bashkëveprim.

“Organi i Prokurorisë, krahas rolit në evidentimin e armëve dhe municioneve shpreh edhe njëherë bindjen se suksesi në luftën kundër këtij aktiviteti kriminal arrihet vetëm nëpërmjet bashkëveprimit të ngushtë të strukturave dhe jo vetëm të një vendi. Garancitë ligjore ekzistojnë dhe për këtë arsye ne duhet të angazhohemi maksimalisht për të vënë para drejtësisë të gjithë ata persona apo grupe personash që synojnë të realizojnë trafikun e armëve”, u shpreh Naim Tota, Prokuror i Prokurorisë së Përgjithshme.

Në takimin rajonal për luftën kundër trafikut të armëve që po zhvillohet në Tiranë, përfaqësuesi i zyrës së BE-së, kërkoi të ketë sa më shumë shkëmbim informacioni midis policive të rajonit si edhe bashkëpunim më të fortë për të luftuar trafikun e armëve.

Top Channel