Detyrimet e prapambetura

01/10/2013 00:00

Ministria e Financave ka nisur punën për të zgjidhur çështjen e borxheve të prapambetura që buxheti ka ndaj biznesit.

Përmes një njoftimi për shtyp, ministria bën të ditur se të gjitha bizneset që pretendojnë pagesa të pashlyera nga buxheti mund të vetëdeklarojnë përmes një formulari të posaçëm që gjendet në faqen e saj onlinë për shumat e pretenduara.

Sipas njoftimit, procesi do të zgjasë deri në 20 tetor dhe më pas të gjitha vetëdeklarimet do të verifikohen. Qeveria ka premtuar të shlyejë të gjitha detyrimet që buxheti i shtetit ka ndaj kompanive private të akumuluara gjatë viteve të fundit.

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, në total shuma e këtyre detyrimeve arrin në rreth 56 miliardë lekë, ose 4 për qind e prodhimit kombëtar.

Sipas Ministrisë së Financave, hapi i parë i zgjidhjes së këtij ngërçi do të jetë verifikimi i plotë i borxhit të pretenduar dhe më pas shlyerja e tij.

Njoftimi i sotëm vjen pak ditë pasi ministri i Financave, Shkëlqim Cani deklaroi se qeveria e mëparshme e ka lënë Shqipërinë në një gjendje kritike financiare, shumë më të rëndë nga ajo që tregojnë shifrat zyrtare.

Top Channel