Panairi i Artizanatit në Kukës

30/09/2013 00:00

Qilima, sixhade e punë të tjera të dorës u prezantuan në qytetin e Kukësit në panairin e punimeve artizanale në kaudër të aktiviteteve për Ditët e Trashëgimisë Kombëtare.

Kryetari i Qarkut të Kukësit, Ibsen Elezi u shpreh se panairi do të nxisë zejtarët dhe artizanët në krijimtarinë popullore dhe në ruajtjen e traditës.

“Është një projekt që ka nisur zbatimin që me nisjen e muajit shtator dhe do të përfundojë në mes ose në fund të muajit tetor në varësi të ecurisë ku ne jemi fokusuar tek vlerat tona të traditës”, deklaroi zoti Elezi.

Qarku i Kukësit njihet për traditën artizanale të sixhadeve dhe qilimave. Sexhadet e Kukësit kanë qenë të njohura në shumë shtete të Europës, por me kalimin e viteve kjo traditë po shkon drejt zhdukjes.

Afërdita Onuzi studiuese e etnografe tregon se si kjo traditë po shuhet dalëngadalë.

“Personalisht si studiuese e ndjej veten të emocionuar për vlerat që përmbajnë këto objekte, por edhe në një pozitë të vështirë, normalisht. Ne nuk po kujdesemi sa duhet për aftësitë krijuese të këtyre artisteve anonime. Nuk ka patur vëmendje në këtë periudhë tranzicioni, edhe në ruajtjen e veshjeve popullore, edhe në punë dore të ndryshme duhet të kishte më shumë vëmendje”, thotë studiuesja Afërdita Onuzi.

Artizanët e Kukësit kërkojnë më tepër vëmendje nga shteti për ruajtjen e traditës.

“Sot ky profesion ushtrohet nga shumë pak dhe kjo është e dhimbshme sepse tradita po humbet. Punonjësja më e re është 42-vjeçare. Traditën jemi duke e mbajtur me zor ne të vjetrit. Sikur shteti të na ndihmonte pak me ndonjë financim të vogël për të mos humbër traditën…”, thotë një artizane pjesëmarrëse në panair.

Panairi i Trashëgimisë Kulturore dhe Artizanatit do të bëhet tashmë një aktivitet i përvitshëm dhe synon promovimin turistik të resurseve natyrore dhe kulturore të Qarkut të Kukësit.

Top Channel