Gjirokastër, Kisha e Shën Ilias rrezikon zhdukjen

30/09/2013 00:00

Kisha e manastirit të Shën Ilias e vetmja e mbijetuar mes 13 kishave të
fshatit Stegopul në Gjirokastër po rrezikon zhdukjen e pikturave murale
mesjetare.

Një pjesë e afreskëve të vendosur mbi muret e oborrit të brendshëm gjenden nën qiell të hapur pas dëmtimit të catisë dhe janë pothuajse të shkatërruara nga lagështia. Kisha e një stili të rrallë arkitekturor mendohet se është një ndër më të vjetrat në rajon.

Sipas dokumentave kishtare ajo daton nga shek. VI pas krishtit ndërsa ka  njohur disa faza rindërtuese përgjatë shekujve. Banorët thonë se kisha u ruajt gjatë regjimit komunist megjithëse ca kohe shërbeu si magazinë e kooperativës. Rreth viteve 70 mbi të u vendos tabela “monument kulture – mbrohet nga shteti” që tani duket po aq e ndryshkuar dhe e vjetëruar nga koha.

Ndërhyrjen restauruese e stabilizuese për këtë monument kanë qenë minimale. Tashmë banorët e pakët e të moshur të fshatit Stegopul i vendosur në një pikë të lartë të malit të Lunxhërisë kërkojnë ndihmë për të shpëtuar të vetmen trashëgimi materiale dhe shpirtërore të zonës. Ata thonë se kjo kishë është vjedhur dhe dhunuar disa herë dhe se ka humbur shumë nga madhështia e dikurshme. Banorët janë detyruar të fshehin këmbanën qindra vjecare të kishës jashtë fshatit për të garantuar sigurinë e saj.

Kisha e Shën Ilias me muret e mbuluara nga mijëra mbishkrime të besimtarëve që nuk kanë hezituar të vendosin emrat dhe datat e vizitave të tyre edhe gjatë periudhës së komunizmit  përfaqëson sot një monument kulture të rrezikuar. Përvec afreskëve stabiliteti i strukturës së saj është gjithashtu i kërcënuar prej reshjeve që depërtojnë kupolën qëndrore. Që në themelimin e tij prej shek VI ky monument  është mbajtur gjallë me kontributin e banorëve të zonës. Manastiri sipas dokumentave otomane sillte të ardhura vjetore që llogariteshin në 100 lira floriri turke.

Top Channel