Prishtinë, ul siparin ‘PriFest’

28/09/2013 00:00

Për 7 ditë me radhë, adhuruesit e filmit, patën mundësi të shohin 4500
minuta premierë filmike, në kuadër të festivalit të filmit ‘PriFest’.
Katër juri profesionale vendosën për ndarjen e çmimeve.

“Before snowfall” i Hisham Zaman nga Norvegjia, u shperblye me ‘Hyjneshën e Artë’, si çmim kryesor.

‘Çmimi i Medias’, nga “Fondacioni Dritan Hoxha” iu dha filmit “Halima’s path” të Arsen Ostojic nga Kroacia, te cilin e dha Arbana Osmani, nga Top Channel.

“Jam shumë e lumtur të njoftoj fituesin e ‘Çmimin e Medias’, që do të jepet nga ‘Fondacioni Dritan Hoxha’ për të dytin vit radhazi, një fondacion i cili mbështet ngjarjet kulturore më të rëndësishme në të gjithë Shqiptarinë. Ky çmim i shkon filmit “Halima’s path””, tha Osmani.

Mes çmimeve të tjera u ndanë edhe ai i “Cmimi i Audiences’ për filmin “Gone Back” nga Ernest Meholli, si bashkëpunim Kosovë-Holandë, ‘Regjisori më i mirë’, për Yuri Bykov nga Rusia, ‘Aktori më i mirë’, Srdan Golubovic, nga Serbia, ndërsa ‘Filmi më i mirë i Ballkanit’ u zgjodh “An episode in the life of iron picker”, i Danis Tanovic nga Bosnja e Hercegovina.

Agim Poçari, nga DigitAlb, si sponsor i artë i këtij edicioni u shpreh i kënaqur me filmat dhe i gatshëm për bashkëpunime të tilla me Kosovën.

“Bashkëpunimi ishte i frytshëm dhe besoj se do të vazhdojë edhe më tej. Nuk diskutohet që puna nuk mbaron këtu. Ne kemi shumë kanale filmash në Digitalb, të cilët do të transmetojnë shumë filma edhe nga këto të ‘Prifestit’ Jemi në negociata me producentë të filmave të ‘PriFest’ për t’i blerë këto filma”, tha Poçari.

Ndërsa per drejtoreshën e festivalit, u mbyll edhe një edicion i suksesshëm i ‘PriFest’.

“Me të vërtetë e kënaqur sepse kemi sjellë filma shumë të mirë, kemi marrë shumë lëvdata nga publiku, nga juria, nga miqtë qe na kanë ardhur këtu, që ka qenë një program i jashtëzakonshëm dhe kjo e bën festivalin cilësor”, thotë Vjosa Berisha.

Ky ishte edicioni i 5-te i ‘PriFest’, e që për fokus këtë vit pati filma nga Amerika Latine, me tema e miq të veçantë.

Top Channel