FMN-Cani: Financat në krizë

27/09/2013 00:00

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani deklaroi se qeveria e mëparshme e ka lënë Shqipërinë në një gjendje kritike financiare, shumë më të rëndë nga ajo që tregojnë shifrat zyrtare.

“E vetmja zgjidhje që na la kjo qeveri është thyerja e kufirit të defiçitit të borxhit publik, meqë paratë janë harxhuar ndjeshëm në 8 muajt e parë të vitit. Nevojiten jo më pak se 24 miliardë lekë borxh shtesë në 2013, ndaj borxhi publik i pritshëm nuk do të jetë 64% saç ishte zotimi i qeverisë së mëparshme, por diçka mbi 67%”, deklaroi Cani.

Por, kriza është edhe më e thellë se kaq. Qeveria me FMN llogarisin se veç borxhit zyrtar, shteti ka edhe 50 miliardë lekë të tjera detyrime të prapambetura ndaj privatëve.

“Nëse do të përfshijmë detyrimet e prapambetura, borxhi e kalon shifrën e 70%. Është një situatë me çekuilibra të thellë makro-ekonomikë në një kohë kur mjedisi ekonomik është i dobët”, deklaroi përfaqësuesi i FMN-së.

Kriza e financave rëndohet nga ngadalësimi i fortë i rritjes ekonomike. Për këtë vit Ministria e Financave dhe FMN llogarisin se prodhimi kombëtar do të rritet me 1.7-1.9 për qind.

“Presim që rritja vitin tjetër të jetë paksa më e mirë, në 2-2,3%, por edhe kjo do të varet shumë nga veprimet e qeverisë”, shtoi Nadeem Ilahi, shefi i misionit të FMN-së.

Kercimi i borxhit në nivele kritike dhe pamundësia për ta zbutur atë përmes rritjes ekonomike, sipas “FMN”-së i imponon Shqipërisë masa të dhimbshme.

“Është e qartë që ka nevojë për një axhustim të ndjeshëm fiskal që kërkon rritjen e të ardhurave nga taksat. Ne kemi diskutuar me qeverinë opisionet e ndryshme se si këto të ardhura mund të rriten. Cilat taksa duhet të ndryshojnë. i morëm të gjitha taksat një nga një për të parë se çfarë mund të bëhet me normat e secilës taksë dhe se çfarë impakti kanë ato tek të ardhurat. Për atë se çfarë do të rekomandonim ne, do t’ia lëmë në dorë ministrit të përgjigjet se cila është taksa e tij e preferuar”, shtoi Ilahi.

“Kuptohet që jemi ne ata që do të vendosim për ato taksa dhe kjo nuk është një çështje që vendoset sot e mund të japet përgjigje po sot, sepse këto taksa, siç ju thashë do të jenë pjesë e paketës së projektbuxhetit 2014 dhe ne do të mundohemi të gjejmë atë që është më optimalja”, vlerësoi Cani.

Rivënia e borxhit nën kontroll do të kërkojë sakrifica edhe në kahun e shpenzimeve, posacerisht ne skemen e pensioneve.

“Nuk e kemi vendosur ende, është një opsion i hapur, por po të flas si ekonomist, do të pyesja nëse përfshin reforma e pensioneve veç rritjes edhe diçka tjetër. Besoj se do të përfshijë edhe ndonjë gjë tjetër”, komentoi Cani.

“Qeveria është e vendosur dhe e qartë për masat ambicioze, qoftë fiskale dhe reforma strukturore, që duhet të ndërmarrin në tre vitet që vijnë me qëllimin e përbashkët  rritjen ekonomike”, deklaroi Ahmetaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregëtisë dhe Sipërmarrjes.

Por, pavarësisht gjendjes kritike, të dy ministrat, si Cani, ashtu dhe Ahmetaj deklaruan se qeveria do tu qëndrojë premtimeve elektorale.

Zoti Cani tha se prioriteti kryesore mbetet ai i shlyerjes së detyrimeve të prapambetura për të cilat nuk përjashtoi edhe marrjen e një kredie nga FMN apo Banka Botërore.

Top Channel