Histori shqiptaro-austriake

25/09/2013 00:00

“Cadra e kuqe” është libri i fundit i Fatos Baxhakut, promovuar në ambientet e Ministrisë së Kulturës. Një përmbledhje historish reale dashurish mes shqiptarëve dhe austriakëve, të cilët ndërtuan familjet e tyre këtu në Shqipëri.

Një pjesë e tyre e nxjerrë nga Arkiva e Shtetit, historitë e austriakëve që erdhën në vend në mes të shekullit XIX dhe të tjerat pas Luftes së Parë Botërore.  Histori sa të bukura, aq dhe të vështira, një pjesë e mirë e tyre për shkak të sistemit diktatorial të kohës, të bazuara në intervistat e Baxhakut dhe gazetares Klodiana Kapo.

Në libër paraqiten dhe fotografi të hershme të familjeve, por edhe të reja të realizuara nga fotografja Jutta Benzeberg.

“Janë afërsisht 40 familje që me qëndrimin e tyre në vendin tonë kanë dhënë një shembull edukate e kulture. Ka qenë si të thuash një gërshetim i Europës me Perandorinë Osmane”, shprehet Baxhaku.

Të pranishëm në promovimin e librit, botuar nga shtëpia botuese “Dituria”, pjesëtarë nga familjet shqiptaro-austriake, ambasadori austriak Florian Raunig dhe miinistrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

“Është një kënaqësi që jemi sot bashkë sepse nuk është thjesht një libër, por një histori dashurish njerëzore që u mblodhën në çadrën shqiptare”, theksoi Kumbaro.

Në shenjë falenderimi, ministrja Kumbaro u dhuroi lule dy prej pjesëtarëve të familjeve shqiparo-austriake të përfshira në libër, zonjës Anneliese Strazimiri dhe Zotit Edvin Shvarc, të birit të Robert Shvarc.

Top Channel