Tkurret konsumi, bie importi

24/09/2013 00:00

Të dhënat e fundit zyrtare të tregtisë me jashtë tregojnë se kërkesa konsumatore në ekonomi vazhdon të bjerë.
Instituti i Statistikave njoftoi se në gusht Shqipëria importoi 7.5 për qind më pak produkte se sa gushti i vitit të kaluar.

Si nëntëmujor importet kanë rënë me mbi 183 milionë dollarë, ose 5.3 për qind krahasuar me një vit më parë. Të dhënat tregojnë se pjesa më e madhe në uljen e importeve i dedikohet grupit të mineraleve dhe energjisë. Por një tjetër zë mjaft i prekur është ai i makinerive dhe pajisjeve, cka është një tregues direkt për renien e investimeve.

Sipas INSTAT, në periudhën janar-gusht të këtij viti, bizneset shqiptare blenë nga jashtë mbi 11 për qind më pak makineri dhe pajisje, se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Në prag të fushatës elektorale, Qeveria hoqi një sërë taksash për të nxitur konsumin dhe veçanërisht investimet në ekonomi. Por shifrat tregojnë se deri më tani heqja e taksave nuk e ka nxitur biznesin të investojë.

Në kahun tjetër të tregtisë atë të eksporteve, situata paraqitet më pozitive. Të dhënat tregojnë se për nëntëmujorin eksportet shqiptare janë rritur me 16.5 për qind, rritje e ardhur kryesisht nga eksporti i energjisë dhe ai i tekstileve, respektivisht me 39 dhe 10.6 për qind.   

Top Channel