Dudushi: Top Show siç nuk e keni parë

24/09/2013 00:00

“Top Show” rivjen në këtë edicion që përkon me 10-vjetorin e tij me një fytyrë tërësisht të re, sonte në mbrëmje.

Ky format do të përcjellë si ngahera gjithçka ndodh në vend e jashtë tij, fenomene të prekshme ose jo do të ulen këmbëkryq me çdo familje shqiptare 3 mbrëmje me radhë, nga e marta në të enjte, por këtë herë duke iu përgjigjur fort kërkesave të tyre, me një orar të ri që nuk do të largojë nga ekrani i “Top Channel” të madh e të vogël, për 100 minuta me radhë.

“Top Show” do të shfaqet në këtë edicion më i rritur, ai mbush 10 vjeç, me një përvojë të gjatë mediatike mbi supe, e cila ka rezultuar sukses që në gjenezën e saj, ndërsa këtë herë edhe më i konsoliduar, çka krijon mundësinë e transformimeve të herëpashershme, siç do të jenë edhe risitë e këtij sezoni.

“Këto dhjetë vjet kanë qenë një rrugëtim i gjatë për ‘Top Show’-n, natyrisht mes ndryshimesh, duke ruajtur thelbin e tij. Ekrani shqiptar në atë periudhë kishte nevojë për të krijuar hapësira për tematika të gjera, të cilat deri në atë moment nuk trajtoheshin, apo trajtoheshin në mënyrë sporadike. Dhe natyrisht që ‘Top Show’ u krijua si platformë për tema dhe personazhe që ndoshta deri në atë moment konsideroheshin si të papërshtatshëm për ekranet. Besoj që kjo ka qenë pika e parë e fortë, e cila i dha emisionit audiencën e gjerë që në momentin e parë dhe popullaritetin në rritje”, tha drejtuesi i “Top Show”, Alban Dudushi, në një intervistë ekskluzive për “Shqip”. Ndërsa tregon për nostalgjinë në vite, përvojë që u lind e u rrit nga vetë ai, Dudushi nuk nguron të tregojë edhe për të rejat që do të sjellë ky edicion.

“Skenografia, këtë vit, vjen e transformuar pothuajse tërësisht, një punë e shkëlqyer e skenografit Fatmir Minga. Për mua është më e bukura që ka pasur ‘Top Show’ deri tani. Natyrisht që ‘Top Show’ këtë vit lëviz edhe në mënyrën e trajtimit të temave në mbrëmje të caktuara. Kemi vendosur që të jemi më afër orarit të njerëzve duke u zhvendosur në orën 22:45. Besoj që në këtë mënyrë audienca e emisionit do të pësojë ndryshime gjithashtu”, shpjegon drejtuesi i “Top Shoë”. Emocionet mes së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes së “Top Show” nuk ndikojnë në sensin e humorit të Albanit. Ndërsa rrëfen për lindjen, rritjen dhe pjekurinë që ka arritur ky emision në gjithë transmetimet e tij, i pyetur nëse pas disa vitesh e imagjinon veten si Maurizio Costanco sot, me ‘barkun te goja’, pa flokë, Dudushi përgjigjet: “Po të marrësh parasysh Maurizio Castanzo-n, i bie pas 45 vitesh. Është shumë gjatë për të menduar deri atëherë. Por është e sigurt që ky emision do t’i ketë edhe dhjetë vjet të tjerë. Dhe për dhjetë vjet patjetër do t’i kem të gjitha dhëmbët në gojë, do t’i kem flokët, megjithëse që tani janë më të thinjur. Për barkun nuk jam shumë i sigurt, por kam filluar që tani ta administroj, që të mos shkojë deri te goja”…

Sezoni i ri i “Top Show”, i cili nis këtë javë, përkon edhe me 10-vjetorin e tij. Çfarë ka ndryshuar në “Top Show” këta 10 vjet?

Këto dhjetë vjet kanë qenë një rrugëtim i gjatë për “Top Show”-n. Ekrani shqiptar, në atë periudhë, kishte nevojë për të krijuar hapësira për tematika të gjera, të cilat deri në atë moment nuk trajtoheshin, apo trajtoheshin në mënyrë sporadike. Dhe natyrisht që “Top Show” u krijua si platformë për tema dhe personazhe që ndoshta deri në atë moment konsideroheshin si të papërshtatshëm për ekranet. Besoj se kjo ka qenë pika e parë e fortë, e cila i dha emisionit audiencën e gjerë që në momentin e parë dhe popullaritetin në rritje. Një kombinim i debatit me spektaklin, muzikën “live”, thirrjen e fytyrave të reja, historitë njerëzore dhe personazhet e së përditshmes, rezultuan në suksesin e këtij emisioni. Në këto dhjetë vjet, “Top Show” është bërë trampolina e shumë personazheve, të cilët tashmë janë bërë publikë dhe që janë profesionistë të nderuar në shumë fusha. Gjatë këtyre dhjetë viteve, natyrisht që “Top Show” ka pësuar ndryshime duke ruajtur thelbin e tij. Skenografitë e transformuara nuk kanë qenë një tekë estetike, por kanë qenë në përputhje me formatin dhe modifikimet e bëra në të, por natyrisht tregojnë dhe një stad të caktuar të pjekurisë që ka arritur ky emision.

Çfarë pritet të ndryshojë gjatë këtij edicioni?

Shumë gjëra. Gjithmonë në funksion të rifreskimit. Dhe meqë jemi tek skenografia, këtë vit ajo është përsëri e transformuar totalisht, një punë e shkëlqyer e skenografit Fatmir Minga. Për mua është më e bukura që ka pasur “Top Show” deri tani, por kjo është vetëm shija ime, është publiku që do të japë vlerësimin e tij. Ndoshta njerëzit mund të habiten pse flas kaq shumë për skenografinë, por ajo ka qenë gjithmonë guaska që përmbledh thelbin dhe në bazë të saj ne shikojmë dhe hapësirat që ka emisioni për të lëvizur në një drejtim apo në shumë drejtime. Një skenografi funksionale krijon hapësira për të çliruar fantazinë dhe për të lëvizur në shumë drejtime brenda emisionit.

Natyrisht që “Top Show” këtë vit lëviz edhe në mënyrën e trajtimit të temave në mbrëmje të caktuara. Eksperimenti i filluar sezonin që shkoi me “Top Show Magazine”, rezultoi i suksesshëm dhe elemente të tij do të aplikohen dhe në “Top Show”-n e ditëve të zakonshme, natyrisht duke ruajtur ditën e enjte për “Top Show Magazine”. Orari i transmetimit ka qenë objekt i vazhdueshëm debati. Shpesh njerëzit, për shkak të regjimit të punës dhe të gjumit në Shqipëri, më ankoheshin se nuk mund ta ndiqnin “Top Show”-n. Dhe është e natyrshme, është e vështirë për njerëz që në orën tetë të mëngjesit u duhet të jenë në punë, të sakrifikojnë për të ndjekur emisionin. Atëherë kemi vendosur ne të jemi më afër orarit të njerëzve, duke u zhvendosur në orën 22:45. Besoj që në këtë mënyrë audienca e emisionit do të pësojë ndryshime gjithashtu.

Ndërsa flisni për ndryshimet, mësuam se “Top Shoë Magazine” do të transmetohet edhe gjatë këtij edicioni. Formati do të jetë i njëjtë me atë të vitit të kaluar apo i rikonceptuar?

Siç edhe e thashë, dita e enjte do t’i përkasë sërish “Top Show Magazine”. Natyrisht që edhe “Mag” do të ketë modifikimet e veta, por jo një lëvizje drastike, pasi si format i rikonceptuar, ai ka vetëm disa muaj jetë dhe natyrisht që ende ruan freskinë e tij.

Kur flisni për risitë, cilat janë referencat që iu nxisin për sipërmarrjen e përfshirjes së elementëve të rinj? A ka një matës për të kuptuar se çfarë i pëlqen publikut të shikojë e dëgjojë, përveç asaj që keni ofruar deri më tani?

Në përgjithësi, ndryshimet i nënshtrohen një analize. Çfarë ka qenë mirë, çfarë nuk ka qenë dhe çfarë duhet ndryshuar. Çështja e matësit të audiencës vazhdon të mbetet një problem në Shqipëri, për të gjitha televizionet, për të gjitha emisionet. Megjithatë, ka mënyra të tërthorta për të krijuar një ide të audiencës dhe të asaj se çfarë kërkon publiku. Por në punën tonë ne nuk kemi qenë skllevër të publikut. Shpesh jemi nisur me idenë që duhet dhe të orientosh publikun. Kombinimi i të dyjave besoj që ka rezultuar i suksesshëm.

Cilat janë të rejat në një shpjegim më specifik?

Është shumë e vështirë të shpjegosh çdo të re që do të ketë emisioni. Është njësoj si të kërkosh nga një shkrimtar, skenarist, apo dramaturg të tregojë veprën e tij ende pa e filluar. Natyrisht që njerëzit do të vërejnë që në fillim të gjitha ndryshimet që kanë ndodhur në “Top Show” në këtë sezon të ri që përkon dhe me 10-vjetorin e tij.

Temat që do të trajtohen do të fokusohen sërish te të njëjtat profile?

Përqendrimi ynë është në gjithçka ndodh, pavarësisht nëse duket apo nuk duket.

Po Albanit si i duket vetja sot, pas 10 vjetësh?

Mua nuk më besohet që kanë kaluar dhjetë vjet, më duhet t’i numëroj që të bindem. Megjithatë dhjetë vjet prapë ndihen. Nuk dyshoj që përvoja të pjek. Është një shprehje: “E sotmja e shikon me nënqeshje të shkuarën dhe me frikë të ardhmen”. Dhe më ka rënë rasti të shikoj emisione të miat të dhjetë viteve më parë dhe, natyrisht nuk jam ndier mirë. Kjo besoj është pjekuria. E rëndësishme është të mos humbasë freskia. Por për këtë ndihmon edhe rinovimi i herëpashershëm i redaksisë dhe sigurisht çdo këshillë apo sugjerim i ardhur nga jashtë redaksisë.

Profesionalisht, unë jam rritur me këtë emision. Natyrisht “Top Show” dhe unë jemi një simbiozë e pandashme. Kjo nuk është çudi, pasi kështu ndodh me të gjithë emisionet jetëgjatë të televizioneve. Është shumë e rëndësishme ta mbash veten gjithmonë në formë. Pavarësisht se vetëkënaqësia dhe lehtësia e të marrit të gjërave janë gjithmonë pas dere. Ata janë armiqtë më të mëdhenj. Ka një sekret kjo punë që bëjmë ne. Të jesh gjithmonë kureshtar për të ditur, të jesh gjithmonë i informuar dhe të jesh po aq “naiv”, kur pyet, sa janë dhe ata që po të ndjekin.

Si e imagjinoni veten pas disa vitesh? Për shembull si Maurizio Costanzo sot, pa flokë, me “barkun te goja” dhe ende në “Top Show”?

Këto “pas disa vitesh”, po të marrësh parasysh Maurizio Castanzo-n, i bie pas 45 vitesh. Është shumë gjatë për të menduar deri atëherë. Por është e sigurt që ky emision do t’i ketë edhe dhjetë vjet të tjerë. Dhe për dhjetë vjet, patjetër do t’i kem të gjitha dhëmbët në gojë, do t’i kem flokët, megjithëse që tani janë më të thinjur. Për barkun nuk jam shumë i sigurt, por kam filluar që tani ta administroj që të mos shkojë deri te goja…

Top Channel