Kostot përgjysmojnë mbjelljet, fermeri ul sipërfaqen nga 180 në 80 hektarë dhe shkëmben silazhin me lopë Qeveria po konsideron të rrisë me rreth 100 milionë dollarë huamarrjen
për t’u përballur me gjendjen e vështirë të financave publike.
Rënia e fortë e të ardhurave por edhe shpenzimet e larta të Qeverisë së kaluar i kanë nxjerr shumë nga treguesit e buxhetit të shtetit jashtë kufijve ligjor. Në tetë muajt e parë të vitit të ardhurat nga taksat dhe burimet e tjera ishin sipas Ministrisë së Financave 16.3 miliardë lekë më pak se plani.
Deri në fund të vitit ekspertët e ministrisë përllogarisin se mosrealizimi mund të arrijë në rreth 35 miliardë lekë, për shkak të uljes së taksave efekti i të cilave ka filluar në gjashtëmujorin e dytë të vitit.
Për të rregulluar llogaritë e shthurura, Qeveria do i paraqesë në tetor Parlamentit draftin e rishikuar të buxhetit. Top Channel ka mësuar se ndryshimet janë një kombinim i shkurtimit të shpenzimeve dhe rritjes së huamarrjes.
Në draftin fillestar të buxhetit, huamarrja e Qeverisë për këtë vit ishte parashikuar në 49 miliardë lekë ose 3.4 për qind e Prodhimit Kombëtar. Me ndryshimet e reja pritet që shifra të shkojë në 59 miliardë lekë ose mbi 4 për qind e Prodhimit Kombëtar.
Në gjysmën e parë të vitit Qeveria e kaluar arkëtoi 12 miliardë lekë nga shitja e katër hidrocentraleve tek kompania “Kurum”. Por paratë u përdorën për të rritur shpenzimet para zgjedhjeve dhe jo për të mbajtur nën kontroll treguesit e buxhetit.
Tashmë me ndryshimet e reja, Shqipëria shkel sërish kufirin e deficitit buxhetor, për të disatin vit rresht. Një situatë që ka çuar në rritjen e përvitshme të borxhit publik, drejt niveleve sipas FMN dhe Bankës Botërore të rrezikshme për ekonominë.
Top Channel