“Lufta” për gazin e TAP-it

23/09/2013 00:00

Gjigantët europian të energjetikës kanë nxituar për të blerë gazin që do
të transportohet nga gazsjellësi Trans Adriatik, i cili kalon përmes
Shqipërisë.

Kompania gjermane ‘EON’ bëri të ditur se ka arritur të nënshkruajnë marrëveshjen me drejtuesit e fushës së Shah Denizit për të blerë rreth 16 për qind të totalit të gazit, që do të transportohet nga TAP. Si rezultat ‘EON’ do të blejë 1.6 miliardë metër kub gaz në vit, për 25 vjet duke filluar që nga 2019-a, kur do të nisë dhe funksionimi i gazsjellësit.

Kjo ishte kontrata e parë, e cila është pasuar nga 8 të tjera, ku përfshihen korporata greke e gazit ‘Depa’, ‘Enel-i’ italian dhe gjiganti “Shell”.  Të gjitha kontrata hyjnë në fuqi në janar të vitit 2019.

Gazsjellësi Trans Adriatik pritet të transportojë fillimisht dhjetë miliardë metër kub gaz në vit në tregun europian. Por sipas projektit në vitin 2022, prodhimi do të rritet deri në 16 miliardë metër kub, pjesa dërrmuese e të cilit tashmë është shitur. Të gjitha kontratat kanë destinacion tregjet e Bashkimit Europian, si Greqinë, Italinë, Bullgarinë dhe vende të tjera. Në Shqipëri deri më tani ende nuk është paracaktuar të tregtohet gaz. Qeveria shqiptare ka hyrë në negociata me kompaninë shtetërore të gazit në Azerbajxhan për të ndërtuar rrjetin e shpërndarjes, që do të mundësonte furnizimin e konsumatorëve dhe bizneseve shqiptare me këtë produkt.

Pak ditë më parë, ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri, ishte në Azerbajxhan ku ka zhvilluar takime me drejtuesit e gazsjellësit dhe fushës së Shah Denizit, ku një nga temat kryesore të bisedave ka qenë pikërisht ajo e ndërtimit të rrjetit të shpërndarjes.

Top Channel