Piktori gjakovar në Tiranë

20/09/2013 00:00

Piktori nga Kosova, Xhevdet Spahija, këtë radhë ka vendosur ta ndajë krijimtarinë me publikun artdashës të Tiranës.

Ekspozita e tij, e çelur në Muzeun Historik Kombëtar, përcjell vizionin artistik të autorit në një mënyrë të plotë. Mes 64 punimeve në vaj gjenden piktura të bazuara në tematika të ndryshme që e frymëzojnë Spahinë në përditshmërinë e tij.  

Mitologjia, nudot femërore të cilat më së shumti janë fryt i fantazisë së autorit apo edhe skenat nga e përditshmja e peisazhet e frymëzuara nga udhëtime të rrënjosura në kujtesën e tij, ndërthurin në vetvete ngjyra të shumta e hapësira ku piktori ka gjetur përmbushjen e tij artistike.
 
“Nëse kaloj qoftë një ditë pa pikturë, diçka më mungon. Kryesorja është të krijosh një pikturë të këndshme dhe joshëse për syrin”, shprehet Spahija.

Xhevdet Spahija është edhe profesor i pikturës pranë gjimnazit “Hajdar Dushi” në Gjakovë. Ekspozita e tij do të qëndrojë e hapur deri në datën 23 Shtator.

Top Channel