Energjia, e siguruar deri në dhjetor

18/09/2013 00:00

Administratori i ‘CEZ Shpërndarje’, Sahit Dollapi thotë se pezullimi i tenderit për importin e energjisë elektrike nuk rrezikon furnizimin e konsumatorëve me energji.

Gjatë inspektimit të punimeve për linjën 20 kilovolt në zonën e Farkës, zoti Dollapi sqaroi se ‘CEZ Shpërndarje’ është autorizuar nga Enti Rregullator i Energjisë për blerjen e energjisë për mbulimin e humbjeve deri në muajin dhjetor.

“Pezullimi i tenderit nuk rrezikon furnizimin me energji të konsumatorëve deri në muajin dhjetor. Janë marrë të gjitha masat nga ERE dhe kompania për furnizimin me energji të konsumatorëve. Kemi proçedurën ligjore dhe ERE ka autorizuar ‘CEZ’ për blerjen e energjisë për muajt shtator, tetor, nëntor, dhjetor”, deklaroi Dollapi.

Administratori i ‘CEZ Shpërndarje’ thotë se humbjet në rrjet janë ulur me 7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke ulur shpenzimet e kompanisë për sigurimin e humbjeve.

“Humbjet në gusht kanë qenë 39.6 për qind. 7 për qind më pak se vitin e kaluar kur ishin 46.5%. Nga janari ka rreth 5 për qind ulje të humbjeve, ndërsa deri tani rritje të faturimit 156 milionë kv energji elektrike”, saktësoi Dollapi.

Enti Rregullator i Energjisë vendosi të pezullojë tenderin e ‘CEZ Shpërndarje’ për blerjen e 1.3 milionë megavat/orë energji elektrike për vitin 2014, në mënyrë që ai të realizohej nga qeveria e re. Ndërkohë, reshjet e ditëve të fundit kanë rritur prurjet në kaskadën e Drinit.

Sipas Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare, niveli në liqenin e Fierzës është 281.8 metër, ai i Komanit 174 metër, ndërsa i Vaut të Dejës 74.1 metër.

Nevojat e konsumit për energji janë 17.5 milionë kilovat/orë energji, prej të cilave 14.3 milionë kilovat/orë enrgji prodhohen në vend, ndërsa 3.2 milionë importohen nga ‘CEZ Shpërndarje’ për humbjet në rrjet.

Top Channel