Stuhia në Durrës, përmbytje e dëme

17/09/2013 00:00

Kanë mjaftuar vetëm pak minuta për të shkaktuar probleme të shumta në qytetin bregdetar të Durrësit.

Një stuhi ere, shiu dhe breshëri kanë goditur mbrëmjen e së martës Durrësin duke shkaktuar jo vetëm probleme të shumta në qarkullim, por edhe dëme të shumta.

Objekte të shkëputura nga forca e erës nga lartësitë e godinave shumëkatëshe kanë shkaktuar thyerje vetratash, pemësh dhe dëmtime automjetesh.

Në lagjen nr.1 të qytetit, pranë shëtitores bregdetare një konstruksion druri është shkëputur nga një papafingo në katin e sipërm të njërës prej dy kullave binjake dhe ka rënë mbi një autobuz turistësh të parkuar në shesh.

Autobuzi i përket një agjencie turistike kosovare që ka sjellë në Durrës një grup maturantësh nga komuna e Junikut, po fatmirësisht nuk ka pasur të dëme në njerëz, ndërkohë që probleme janë shkaktuar edhe në portin detar të Durrësit ku janë pezulluar përkohësisht lundrimet në det.

Top Channel