Rruga drejt skenës fillon nga audicionet

17/09/2013 00:00

Jo gjithmonë rruga drejt suksesit përshkohet mbi një tapet të kuq. Shpesh, janë aktorët që rendin pas famës dhe jo fama drejt tyre. I kemi parë të performojnë dhe të arrijnë suksesin, por shumë prej tyre e kanë nisur kështu: me një audicion.

“Portokallia” po pasuron galerinë e personazheve dhe një audicion i shpallur u jep shumë të rinjve mundësinë e një ëndrre.

“E mora vesh nëpërmjet televizionit dhe internetit për audicionet. Që kur kam qenë fëmijë kam pasur dëshirë të isha pjesë e një spektakli të tillë. Dua të shpalos talentin tim”, thotë Ermali.

Erkida Ruçi është nga Kuçova. Ajo studion për financë, por sot po guxon të provojë talentin e saj që beson se ka në aktrim: “Kur mora vesh për audicionin, thashë ta provoja. Unë bëj humor çdo ditë dhe them ta provoj njëherë edhe në skenë.”

Mund të ushqesh një jetë të tërë me ëndrra për tu bërë i famshëm, por mjafton një çast magjik për ta kapur rastin. Këta të rinj shpresojnë që rasti të jetë ky.

Rastësisht aktorë

Hollivudi është një vend që mbart shumë histori të çuditshme suksesi. Mjafton të tregojme se Jim Carey, yll i komedisë amerikane, ka qenë një portier, Demi Moore një mbledhëse taksash, ndërsa Sharon Stone ka punuar tek McDonald’s.

Dhe shumë aktorë si këta që kanë ngjitur majat e industrisë më të madhe kinematografike në botë, suksesin e tyre nuk mund të themi se ia dedikojnë punës së madhe, por fatit që aksidentalisht i ka çuar në rrugën e duhur.

Ashtu siç ndodhi me Mel Gibson, një prej aktorëve më të suksesshëm të Hollivudit, fitues i dy çmimeve Oskar. Gibson është përfshirë në këtë rrugë rastësisht. Ai studioi në Institutin e Artit Dramatik në Sidnei, por aktrimin nuk e shihte si perspektivë derisa një ditë një shok i tij i kërkon ta shoqërojë në një audicion. Për fat, një natë para, Mel, teksa ishte dehur, u përfshi në një grindje dhe të nesërmen gjurmët e sherrit lexoheshin qartë mbi fytyrën e djaloshit. Kjo bëri që regjizori i filmit të lexojë menjëherë personazhin në karakterin e tij dhe ai fitoi kështu rolin e parë. Bëhej fjalë për filmin ‘Mad Max’, prodhimin që e bëri të njohur anë e mbanë botës.

Marilyn Monroe, bjondja sensuale, miti i bukurisë, ka gjithashtu një histori interesante sesi e ka nisur famën e saj. Në rini ajo nuk ka qenë aspak bjonde e madje as emrin nuk e ka pasur Marilyn, por Norma Jeane Mortenson. E rritur në një jetimore, në rini ajo punonte si inspektore në një qendër municionesh, parashutash dhe aeroplanësh. Pikërisht aty, një fotograf realizoi shkrepjen e saj të parë për një kopertinë, ku spikatën hiret e vajzës. Ishte kjo foto që i dha asaj kurajon të marrë një klasë aktrimi, të presë flokët e saj, t’i kthejë ato në bjondë dhe të bëhej një legjendë. 

Johnny Depp.
Shumë prej roleve të tij legjendare si Eduard Duargërshëra apo Xhek Sparrou mund të mos ishin luajtur prej tij nëse rasti nuk do ta kishte bërë aktor. Që fëmijë ai ishte shumë i lidhur me muzikën. E ëma i pati blerë një kitarë dhe kjo e nxiti rrugën e tij muzikore duke u bërë pjesë e disa bandave. Bashkëshortja e tij e parë, një grimiere, e prezantoi Depp me Nicolas Cage, i cili i thotë të riut të provonte rrugën e aktrimit. Dhe ashtu si Gibson, një ditë, një miku i vet, i quajtur Jackie Earle Haley, i kërkoi ta shoqëronte në një audicion për një film horror. Rastësisht ju kërkua që të recitonte një pjesë për rolin e protagonistit dhe aty i shkëlqeu fati. Ai do të bëhej një prej aktorëve ikonë të Hollivudit.

I ikonizuar në profilin e filmave aksion, Steven Seagal është gjetur edhe ai i rastësishëm në këtë rrugë. Ai është spikatur nga agjenti i Hollivudit Michael Ovitz, i cili po mbante kursin e tij të Aikidos aty nga vitet ’80. Gjatë kursit ku Seagal shërbente si instruktor, agjenti i kinematografisë filloi të testojë aftësitë e tij dramatike dhe kështu nga një njeri anonim, ai u kthye në një yll kinemaje.

Jason Statham, heroi i filmave aksion, nuk e ka marrë asnjëherë seriozisht karrierën e tij artistike. Përpara se ai të bëhej një yll, ishte thuajse një hero olimpik. Ai ka qenë në ekipin britanik të zhytësave. Por, duke qenë se kjo punë i sillte pak të ardhura, ai vendosi ta braktisë dhe për të jetuar shiste bizhuteri dhe parfume qosheve të rrugëve nëpër Londër. Në një ditë të zakonshme pune, pranë një qendreje sportive, ai u pikas nga një agjent, i cili i ofroi atij një punë si model për një kompani franceze. Aty ai u prezantua me Guy Ritchie dhe kështu i qeshi fati. Ai sot është një aktor i suksesshëm që fiton miliona dollarë.

Shkolla e artit dramatik nuk ka qenë gjithnjë rruga që ka çuar drejt famës shumë yje të kinemasë. Veçanërisht në Shqipëri, ku edukimi ka qenë privilegj i disave. Megjithatë, fati nuk ka përjashtuar talente si Bep Shiroka, Roland Trebicka apo Mehdi Malkaj t’i futen rrugës së aktrimit.

Aktori Bep Shiroka i përket atyre rasteve që pati ëndërruar të bëjë diçka tjetër në jetë. Rruga e artit skenik ka qenë një zgjedhje e rastësishme për të, pasi pikënisja për Artistin e Merituar ka qenë piktura.

Po ashtu edhe i madhi Roland Trebicka ka hyrë në rrugën e artit rastësisht, kur ai ishte vetëm 14 vjeç, por nuk ishte e rastësishme lidhja e tij e përjetshme me skenën, ku ai shkëlqeu si në rolet dramatike, ashtu edhe në komedi. 

Top Channel