Operacioni për ngritjen e “Costa Concordia”

13/09/2013 00:00

Javën e ardhshme do të përfundojë operacioni më i kushtueshëm në shpëtimin e një anijeje detare. Bëhet fjalë për operacionin e ringritjes së “Costa Concordia”, kroçiera italiane prej 114 mijë tonësh e mbytur në brigjet e Toskanës në Itali janarin e 2012-ës.

500 inxhinierë, 18 mijë ton çimento e shpenzuar dhe dhjetra makineri të rënda do të angazhohen në një operacion që pritet të zgjasë rreth 12 orë në ringritjen “në këmbë” të anijes gjigante dhe transportin e saj drejt portit më të afërt.

I gjithë operacioni pritet të ketë një kosto totale prej 500 milion eurosh. Prej më shumë se një viti, inxhinierët janë angazhuar në ndërtimin e një platforme nënujore për ngritjen e anijes, ndërsa në pjesën anësore që ndodhet në sipërfaqe të anijes, janë instaluar blloqe të tëra çimentosh me një peshë totale prej 18 mijë tonësh për ta mbrojtur anijen nga dëmtimet gjatë ngritjes.

“Costa Concordia” u mbyt janarin e 2012 pasi më parë goditi disa shkëmbinj në afërsi të brigjeve italiane. 32 persona gjetën vdekjen nga ky aksident, ndërsa pas hetimeve kapiteni i saj u shpall fajtor për neglizhencë në detyrë.

                             Nje paraqitje grafike se si do te kryhet operacioni

Top Channel