Një “Pasdite” me Alban Dudushin

13/09/2013 00:00

Në prag të sezonit të ri të “Top Show”, Alban Dudushi, i ftuar në “Pasdite në Top Channel”, deklaroi se emisioni që ai drejton do të vijë për publikun shqiptar me freski dhe përmasë të re.

“Skenografi Arben Minga e ka marrë me shumë pasion transformimin e “Top Show”-t. Ka një freski dhe përmasë tjetër për 10-vjetorin e emisionit”, theksoi Dudushi, i cili shtoi se do të ketë edhe një ndryshim orari.

“Nuk do të nisë më në 23.10, por në 22.45. Kjo, për arsye të regjimit të publikut. Reagimet e njerëzve ishin “i mirë emisioni, por nuk e shohim deri në fund”. Për këtë arsye vendosëm të ndryshonim orar.”

Dudushi shpjegoi edhe filozofinë e “Top Show”-t që nga momenti i krijimit: “Top Show” tentoi të thyente bërthamën e vogël të njerëzve që qarkullonin në ekrane. Ideja ishte që të thyenim konceptin e njerëzve dhe temave jotelevizive. Gjithçka mund të bëhet televizive dhe interesante për publikun nëse sillet siç duhet.”

Në lidhje me motivimin që e shtyn ende pas 15 vitesh në televizion, moderatori tha: “Kjo është një punë që është në sy të njerëzve vazhdimisht dhe konfrontohet. Është dëshira e njeriut për të vënë veten gjithmonë në provë. Ky është motivi që të jep televizioni.”

Alban Dudushi shpjegoi pse një ditë në javë iu kushtua “show-biz”-it: “Top Show Magazine” nuk ka një ndryshim të madh nga vetë “Top Show”. Thjesht temat ndërrohen gjatë emisionit dhe në këtë mënyrë ai bëhet më dinamik. Gjithashtu synuam një publik më rinor duke futur thashethemet. Do të vazhdojë ditëve të enjte. Ne ndjenim nevojën e diçkaje që do të freskonte Top Show-n e për këtë arsye shtuam Mag-un.”

Top Channel