“Turnet” për të marrë fëmijët nga shkolla

12/09/2013 00:00

Jeta urbane është bërë shumë dinamike. Rritja e nivelit të arsimimit dhe dëshira për kushte më të mira jetese ka detyruar çiftet e reja të punojnë gjatë gjithë ditës për të siguruar të ardhurat.

Por, si menaxhohet koha kur përveç punës, familja ka dhe fëmijë në shkolla që duhet t’i çojë dhe t’i marrë? Cila është zgjidhja më e përshtatshme? Ndriçim dhe Violeta Zyla kanë dy djem në shkollën 9-vjeçare “Vasil Shanto” në Tiranë. Ai punon gjithë ditën tek Tregu Elektrik si tregtar, ndërsa  ajo si shitëse orendish shtëpiake. Dita e tyre është shumë e ngarkuar. Cdo mëngjes, dy djemtë, Ledio dhe Frajdi Zyla, bëhen gati për në shkollë ku shoqërohen nga kryefamiljari.

“Në mëngjes i çoj unë, ndërsa në drekë i merr nusja. Njëri nga ne duhet të lërë punën rreth 1 orë për t’i marrë”, thotë Ndriçimi.

Koha nuk është kurrë e mjaftueshme për shkak të biznesit që Ndriçimi drejton, por familja vjen gjithmonë në plan të parë. Shpesh herë ai sakrifikon ditën për të marrë fëmijët nga shkolla.

Kur përfundon ora e fundit e mësimit, në ditët që ai e ka të pamundur të shkojë në shkollë, atëherë bashkëshortja lë punën e saj: “Mundohem të mbyll punët e të marr fëmijët.”

Për momentin, familja është duke e përballuar me “turne” midis burrit dhe gruas marrjen e fëmijëve nga shkolla, por të dy e pranojnë që kjo është mjaft e vështirë dhe e lodhshme.

“Puna ime është 8:00 me 17:00. Duhet të çoj një nga djemtë në orën 12:00 e pastaj ta marr në orën 15:00. Edhe trafiku të pengon, por sakrifikojmë”, thekson Violeta.

Koordinimi mes bashkëshortëve është vetëm një zgjidhje, por cilat mund të jenë disa alternativa të tjera? Punësimi i një gruaje për ta marrë fëmijën pas shkolle e më pas për ta dërguar në kopsht për disa orë deri sa prindërit të përfundojnë punë është një mundësi. Abonimi i prindërve në kompani taksie për ta marrë fëmijën nga shkolla në momentin që del ose vënia në dispozicion e një furgoni shihet si zgjidhje tjetër e mundshme.

E fundit, por jo më e parëndësishmja, mbetet varianti i punësimit të dados për ta marrë fëmijën nga shkolla, kjo në rastin kur gjyshja nuk jeton me familjen, për t’i pritur dhe dërguar ajo nipat dhe mbesat.

Top Channel