Programi ekonomik i Ramës

12/09/2013 00:00

Deputeti socialist Anastas Angjeli thotë se programi qeverisës, që
kryeministri Rama paraqiti publikisht në Kuvend, i jep një hov të ri
ekonomisë shqiptare.

Zoti Angjeli thotë se që në fillim programi adreson një çështje jetike për zhvillimin e vendit, atë të orientimit të ekonomisë drejt një modeli të ri.

“Tashmë në fund të 22 viteve tranzicion përballemi me një model të shterruar, një model i cili me të mirat dhe të këqijat e veta, tashmë nuk prodhon, nuk gjeneron më asnjë zhvillim të mëtejshëm të qëndrueshëm, nuk gjeneron më asnjë burim tjetër të ri për punësimin, nuk gjeneron më mundësi, forcë për të siguruar një stabilitet të mëtejshëm financiar”, tha Angjeli.

Zoti Angjeli thotë se programi bën të mundur një strukturim rrënjësor të ekonomisë, duke e orientuar atë drejt sektorëve të rinj, kryesisht prodhues që në 15 vitet e ardhshme do të jenë lokomotiva e zhvillimit ekonomik të vendit.

“Eshtë manifaktura, është energjetika, është agro-biznesi, padyshim që janë edhe sektorët e tjerë të shërbimeve kryesisht arsimi, edukimi, turizmi, të cilët mbeten sektorë që do të marrin një rol më të rëndësishëm nga ç’kanë patur, nga ç’kanë sektorët e tjerë”, tha Angjeli.

Hida: Programi i Ramës kontradiktor

Por Sybi Hida, ish-deputet i Partisë Demokratike thotë se plani ekonomik i maxhorancës së re është kaotik dhe i mbushur me kontradikta.  

“Thuhej që do të ndryshohej modeli nga mbështetja te kërkesa, tek mbështetja te prodhimi, por nga ana tjetër ne shohim që politikat e taksave e kundërshtojnë këtë, si për individët ashtu edhe për kompanitë dhe për biznesin. Edhe heqja e TVSH-së për disa produkte ul konkurrueshmërinë e mallrave tona dhe dëmton prodhimin vendas”, tha Hida.

Për zotin Hida, programi është një përmbledhje e deklaratave të shkuara populiste të opozitës dhe ngjason me një listë dëshirash jorealiste.

“Zoti Rama thotë që do të punësohen 300 mijë persona, por nuk jep asnjë shpjegim se si do ta arrijë atë. Në një përllogaritje të shpejtë që kam bërë para disa kohës, kërkohet të ketë një rritje ekonomike 7-8 për qind që të arrihet një punësim i tillë”, tha Hida.

Një ditë më parë përmes një fjalimi një orësh kryeministri Rama paraqiti në Kuvend planin ekonomik, i cili parashikon ndryshime rrënjësore në administratën e ekonomisë, por edhe politikave të zhvillimit.

Top Channel