Moda e femrave të politikës shqiptare

12/09/2013 00:00

Dikur ato ishin më të pakta në numër dhe në një ambient krejtësisht mashkullor përpiqeshin të përshtasnin edhe veshjen. Mbase për t’u ndjerë më rehat dhe për të mos u paragjykuar.

Femrat politikane në Parlamentin e para viteve ’90 ishin të ftohta në dukje, me qëndrim paksa burrëror dhe me një veshje serioze nga koka tek këmbët.
 
Ndërrimi i sistemeve politike në vend nuk solli ndryshime të mëdha në pamjen e jashtme dhe stilin e veshjes së politikaneve. Numri i tyre i përfaqësimit ngeli i vogël në shifra dhe prania e tyre nuk spikati duke bërë në këtë mënyrë më pak evidente edhe paraqitjen e tyre. Stili mbeti i njëjti. Xhaketa kryesisht e shoqëruar me fund deri tek gjuri.

Deri para pak muajsh situata ishte e njëjta dhe ajo çka ofronin gratë në Parlament nuk sillte ndonjë risi. Deputetja Valentina Leskaj si dhe ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli mbetën më serioze dhe klasike, me xhaketa të shkurtra dhe pantallona jo të së njëjtës ngjyrë dhe me një gjatësi të shkurtër ose mesatare flokësh.

Mes tyre ka dhe femra që kanë spikatur për një stil ndryshe, si ish-ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, e cila përdor shpesh këpucë të hapura, funde apo fustane sipër gjurit dhe që luan shpesh me ngjyrat. Bregu i qëndron besnike modelit të saj të flokëve, të cilin nuk preferon ta ndryshojë shpesh.

Deputetja Monika Kryemadhi spikat për ndryshim të stilit të veshjes dhe modelit apo ngjyrës së flokëve, ndërkohë që shumica e femrave në Parlament paraqiten më së shumti me të njëjtin imazh.

Tashmë që në Legjislaturën e re prania e femrave në Parlament dhe në kabinetin qeverisës është më e madhe, mbase “look”-u dhe veshja e tyre do të sjellë risi.

Veshja dhe stili, si përdoren nga femrat më të njohura të politikës botërore

Që në lashtësi udhëheqësit përdornin veshjet dhe pamjen e jashtme për të treguar pasurinë, pushtetin dhe idealet e tyre. Por, për femrat lidere, marrëdhënia mes veshjes dhe fuqisë është veçanërisht një çështje shumë komplekse.

Si komentohen ato që janë cilësuar si femrat më të pushtetshme të historisë botërore? Kritikët thonë se e gjithë kjo panoramë përbëhet nga 50 profile dhe 500 ngjyra fotografike dhe është zbavitëse se si veshja luan një rol aq të rëndësishëm për femrat në politike, edhe në rastet kur ata vishen mirë, keq ose shëmtuar.

E ashtuquajtura Zonja e Hekurt, Margaret Thatcher, gjatë qeverisjes së saj përdori filozofinë se një femër në pushtet duhet të përshtatet me djemtë e politikës. Ajo e përdori këtë strategji dhe e rafinoi, duke nxjerrë në pah shpatullat e saj të gjera të cilat i mbulonte gjithmonë me fustane ose bluza të hijshme. Thatcher e përdorte shumë shpesh çantën e saj Ferragamo, me anë të së cilës kërkonte të jepte gjithmonë përshtypjen se po bënte biznes.
 
Hillary Clinton spikat për kostumet e saj njëngjyrëshe me xhaketa të shkurtra dhe pantallona. Është vlerësuar gjithnjë pozitivisht nga kritikët, pasi me anë të pamjes së jashtme ka përcjellë gjithmonë imazhin e një femre tepër të pushtetshme.

Është kritikuar për veshjen dhe “look”-un e saj që nga momenti i parë që i është futur rrugës së politikës. Angela Merkel është përfolur gjithmonë për modelin e saj tepër mashkullor të flokëve dhe për veshje pa gusto. Edhe pse veshjet e saj tregojnë qëndrueshmëri dhe maturë, dy cilësi të njohura për gjermanët, me anë të veshjes Merkel tregon se është një lidere racionale dhe e ftohtë. Së fundmi ajo u kritikua nga stilisti Karl Largerfeld, i cili e ngeli në klasë Merkelin për veshjet e saj pa shije.

Kjo grua është cilësuar si politikania me flokët më gjeniale në Botë. Ish-kryeministrja ukrainase Julia Timoshenko, para se të futej në politikë, kishte flokë të errët. Që në fillmet e karrierës ajo punësoi një këshillues imazhi, i cili e shndërroi atë në një mësuese modeste fshati, me gërshetat bjonde që i përshtaten më së miri folklorit ukrainas. Timoshenko rrezaton pafajësi, patriotizëm, fisnikëri dhe një staturë prej shenjtoreje.  

Ajo është politikania mbase më e ekzagjeruar e të gjitha kohërave në historinë e Parlamentit italian. Ilona Staller, pornostari që shkonte në sallën e parlamentit me funde të shkurtër dhe transparente dhe dekolte marramendëse gjatë mandatit të saj në vitet 1987-1991, mbahet mend për pamjen më jonormale të politikanes, ku binte gjithnjë në sy me tualet dhe manikyr tepër të rëndë.    

Top Channel