Gjirokastër, Stegopuli mes braktisjes e harresës

10/09/2013 00:00

Stegopuli një prej perlave të natyrës së Lunxhërisë në Gjirokastër ka sot vetëm 40 banorë kryesisht të moshuar.
Fshati malor i vendosur mes rrënojave të 13 kishave, duket plotësisht i braktisur.

Megjithëse banorët përpiqen vetë të mirëmbajnë e të sistemojnë rrugët e brendshme, lidhja e tyre me qytetin bëhet gjithnjë e më e vështirë për shkak të rrugës së shkatërruar, mungesës së transportit publik për këtë zonë e për pasojë edhe të shërbimit shëndetsor e tregut.

Qendrën e fshatit banorët e identifikojnë me një lapidar gjigand që përkujton krijimin e një brigade partizane.
Nga ky vend që banorët e kanë mbrojtur dhe gjatë vitit ’97 dhe që e përdorin edhe sot për festa, gëzime e kuvende duket qartë izolimi i tyre. Zona më e afërt e populluar gjendet jo më pak se një orë rrugë me këmbë prej këtej ndërsa banorët thonë se  plotësimi i nevojave të përditshme, si blerja e bukës, ushqimeve, ilaceve, mallrave industriale po bëhet gjithnjë e më e vështirë dhe me kosto.

Stegopuli një prej zonave më të bukura të populluara që në antikitet në zonën e Lunxhërisë banohej në mesjetën e vonë prej rreth 700 familjesh. Zona me një potencial të rrallë turistik sot jeton vetëm falë emigracionit mes harresës për historinë dhe mungesës së theksuar të shërbimeve.

Top Channel