Digjet masivi pyjor në Darëzezë

10/09/2013 23:20

Një zjarr masiv ka shkrumbuar dhjetra hektarë pyje me pisha, në masivin e bregdetit të Darëzezës. Vatra e parë e zjarrit u shënua rreth orës 15:00, në kufirin ndarës me pyllin e Pish-Poros.

Prej këtej, zjarri është përhapur drejt Darëzezës, duke shkrumbuar pemët e pishave. Zjarrfikësit kanë shkuar në vëndngjarje dhe kanë nisur të shuajnë flakët.

Era e fortë e ka bërë të vështirë këtë mision, ndaj zjarrfikësve të Fierit u kanë ardhur në ndihmë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Shkak i zjarrit mendohet të jetë një zjarrvënie e qëllimshme. Nuk është hera e parë, që masivi pyjor i bregdetit përfshihet nga flakët. Pothuaj çdo sezon veror, këtu ka pasur zjarre të fuqishme.

Në Fier, përgjatë gjithë kësaj vere, zjarret kanë djegur dhjetra hektarë pyje dhe ullishta. Në të gjitha rastet, efektivët zjarrfikës kanë vënë në dukje, se zjarret kanë qënë të qëllimshme, por policia nuk ka kapur asnjë prej autorëve.

Top Channel